Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë së është bërë personi më i urryer në tre javët e fundit nga disa persona, raporton Ekonomia Online.
Ajo këto deklarata i ka bërë gjatë mbledhjes së KQZ-së, ku ka pasur edhe një përplasje me anëtarin e VV-së, Sami Kurteshi për pranimin e votave nga diaspora.
“Jam bërë personi më i urryer në tre javët e fundit nga disa personalitete të cilat nuk do ti tregoja me emër”, ka thënë Daka.
Kurteshi ka thënë se votat nga diaspora duhet të pranohen deri një ditë para zgjedhjeve, pra deri më 13 shkurt.
“Me këtë ne ua vjedhim disa orë njerëzve, po e kufizojmë një të drejtë të njerëzve për disa orë. Aktgjykimi i Kushtetueses e cakton 24 orëshin. E kundërligjshme është data 12, ora 24. Unë po kërkoj që data e fundit kur mund të pranohen pakot me fletëvotime është data 13 shkurt ora 12”, theksoi ai.
Mospajtimet për këtë çështje kanë bërë që gjithë anëtarët e KQZ-së ta lëshojnë mbledhjen me përjashtim të Sami Kurteshit.