Shefja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë se institucioni që ajo drejton është i gatshëm për të organizuar zgjedhje të parakohshme nëse kjo gjë kërkohet.
Ajo ka deklaruar se KQZ tashmë e ka kaluar provimin në organizimin e zgjedhjeve, por në bindjen e saj personale ka theksuar se nuk beson të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“KQZ e ka obligim kushtetues që të organizojë zgjedhje sa herë kërkohen. Normalisht që ato të parakohshmet janë sfiduese. Por nëse presidenti i vendit i shpall, neve nuk na mbetet tjetër veç t’i organizojmë. Nuk do të ishte e para herë që organizojmë zgjedhje. Në fakt, prejse jam kryetare e këtij institucioni asnjëherë nuk kemi pasur zgjedhje në afat të rregullt. Do të ishte më mirë që ato të organizoheshin në afat optimal, megjithatë”.
“Konsideroj që nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ky është mendimi im personal, jo si kryetare e Komisionit Qëndro Zgjedhor”.
“Zgjedhjet më sfiduese kanë qenë ato lokale të vitit 2013. Sepse janë mbajtur për të parën herë në të gjithë territorin e Kosovës. Edhe në komunat me shumicë serbe”. (Klan Kosova)