Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, i ka vlerësuar të padrejta akuzat ndaj këtij institucioni për zvarritje të procesit të zgjedhjeve të 6 tetorit.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka deklaruar se KQZ-ja nuk po e zvarrit këtë proces, por është duke zbatuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërim, i cili është i obligueshëm.
Sipas Dakës, vetë subjektet politike kanë kërkuar nga PZAP-i rinumërimin e kutive të votimit.
Ajo ka pohuar se zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë mirë të organizuara.
“Të gjitha çështjet që kanë ndodhur pas ditës së zgjedhjeve padrejtësisht i vihen si barrë KQZ-së, duke harruar se ato çështje janë ngritur nga subjektet politike dhe pastaj janë bërë temë e ankesave”, ka thënë Daka.