Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se roli i OSBE-së në zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të jetë i kufizuar dhe do të përqendrohet vetëm në komunat veriore të vendit
OSBE-ja do të ketë rol të kufizuar në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, pasi që do të përqendrohet në monitorimin e zgjedhjeve vetëm në komunat veriore të vendit. Kështu ka deklaruar shefja e KQZ-së, Valdete Daka, gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se në këto zgjedhje të drejtë vote kanë më pak se 1.9 milion qytetarë të Kosovës.
Ajo ka bërë të ditur se numri i votuesve, të cilët do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e tetorit është mbi 18 mijë, prej të cilëve 14 mijë janë votues të rinj, ndërsa rreth 4 mijë të tjerë që nuk kanë qenë në listën e votuesve te zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në vend më 11 qershor 2017.