Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se ende nuk e kanë pranuar vendimin e ushtrueses së detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani për datën e zgjedhjeve,
“Nuk e kemi marrë vendimin sepse vendimi është marrë në orët e vona të mbrëmjes. Nesër në mëngjes të njëjtin vendim do ta kemi në duart tona dhe do të fillojmë me të gjitha procedurat siç parashihet”, është shprehur Daka.
Ajo në Klan Kosova është shprehur se si institucion janë të gatshëm që t’i organizojnë zgjedhjet.
“Gjithsesi është afat i shkurtër, por në kuadër të afateve maksimale të parapara me Kushtetutë. Nuk është hera e parë që mbajmë zgjedhje të jashtëzakonshme në afate shumë të shkurtra. Kemi 38 ditë dhe natyrisht do të bëjmë çdo gjë që është e mundur me mundësitë tona. Do të jetë sfiduese, por kemi përvojë në organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.
Sa i përket raportimeve se Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk do të mund të marrë pjesë në zgjedhje sipas aktvendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, ajo ka thënë se nuk dëshiron të paragjykojë, porse ka deklaruar se të gjithë kandidatët do të verifikohen.
“Do ta zbatojmë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse na obligon Kushtetua që t’i zbatojmë të gjitha vendimet. KQZ do të marrë vendim për kandidimin e Kurtit ose të tjerëve. Ne do ta bëjmë verifikimin e kandidatëve nëpërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës ku do të dorëzohen të gjitha listat e kandidatëve dhe në bazë të konfirmimeve do të vendosim”.
“Ligji është i njëjtë për të gjithë. Do ta zbatojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në plotni. Do t’i verifikojmë të gjithë kandidatët dhe varësisht se a i plotësojnë kushtet edhe do t’i certifikojmë ose jo”.
Daka ka theksuar se në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk janë të lejuara tubimet zgjedhore për shkak të koronavirusit.
Ndërkaq ka thënë se diaspora do të votojë sikurse në zgjedhjet e kaluara.