Fillimisht u mendua për një dëmtim të rëndë, por mesa duket për gjurin e Cristiano Ronaldos nuk ka asgjë serioze. Sulmuesi portugez që festoi gjatë trofeun e parë për Kombëtaren e tij, duhet të bëjë rreth një muaj pushim dhe më pas mund të rikthehet në fushën e lojës.
Në Madrid, drejtuesit e Realit, pasi eliminuan frikën më të madhe, gjithsesi duhet t’i bëjnë mirë llogaritë pasi Cristiano Ronaldo nuk do të jetë gati për ndeshjen e Superkupës së Europës kundër Sevillas në datën 9 Gusht.
Portugezi tashmë duhet të ndjekë një program të specializuar për rikuperimin e plotë pas 30 ditëve edhe pse fillimisht do të mendojë për pushimet e merituara pas një sezoni të gjatë të kurorëzuar me fitimin e Championsit dhe Europianit.