Lajmi për “rikthimin” e Milan Radojçiqit në Kosovë është fatkeqësi për serbët në veri, ka thënë politikania serbe, Rada Trajkoviq, që e ka krahasuar videon e tij me një parodi të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Të martën, nënkryetari i Listës Serbe publikoi një video në YouTube. Ai tha se është kthyer në Kosovë dhe se “s’ka më kthim prapa”. Videoja ka bërë bujë pasi që dy urdhërarreste ndaj tij janë ende aktive në Kosovë. Arrestimi i tij po kërkohet për rastet “Brezovica” dhe atë të vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq.
Në një deklaratë për “Danas”, Trajkoviq ka thënë se mesazhi i Radojçiqit është thirrje për NATO-n, por edhe fatkeqësi për serbët.
Paraqitja e tij e plotë, sipas saj, është parodi e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. “Edhe fanellat ishin të ngjashme”, ka thënë ajo.
Sipas Trajkoviqit, Radojçiqi ka dalë nga “shtëpia e sigurt e Vuçiqit”.
“Radojçiqi, edhe pse një njeri me profil ekstremisht problematik, sigurisht që i kalon më lehtë kontrollat policore serbe sesa unë”, ka thënë tutje ajo duke shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka “përgjegjësitë dhe meritat” për krijimin dhe shndërrimin e Radojçiqit dhe të tjerëve në liderë të serbëve të Kosovës.
Trajkoviq ka pasur përplasje personale me Radojçiqin. Ajo ishte paditur nga Radojçiqi “për dëmtim reputacioni” pasi kishte shprehur publikisht dyshimet se Radojçiqi është përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit.