Deputeti nga komuniteti turk, Fikrim Damka, nga 6+, duke folur për raportin mbi deportimin e shtetasve turq, tha se ky raporti është i njëanshëm dhe selektiv, raporton EkonomiaOnline.
“Raporti i përpiluar nga komisioni është fatal, pasi vetë komisioni ka dështuar me caktimin e ekspertit ndërkombëtar. AKI dhe Policia kanë pasur arsye për të vepruar. Bëj thirrje komisioneve që të marrin pjesë në procesin gjyqësor ku janë duke u gjykuar të deportuarit”, tha ai.
Por ndaj tij ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, duke i thënë se këtu nuk është në parlament të Turqisë.
“Ne gjithmonë do ta dallojmë shtetin e Turqisë nga pushteti. Sepse Erdogani mund të mos të jetë gjithnjë e Turqia do jetë gjithmonë. Po flasim për deportimin e shtetasve turq e jo për raportet Kosovë-Turqi”.
E deputeti Damka përsëri reagoi. Tha se puçi në Turqi nuk është bërë kundër Erdoganit, por Turqisë.
“Askush nuk mundet me më ndalë çka flas. Unë mundem me kritikua edhe marrëdhëniet me shtetet, ky është mendim i imi. Puçi nuk është bërë për Erdoganin, por për Turqinë”, tha ai.
Edhe shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se ky komision nuk është kundër Turqisë e as SHBA-së.
Mandati i komisionit nuk ka qenë për marrëdhëniet as me Turqinë as me ShBA. Nuk ka vend në këtë seancë që të devijojë debati për marrëdhënien me Turqinë.