“Danas”: “Salveta e Kosovës”, apo ngjashmëria e rasteve: Milosheviq-Tugjman, dhe Thaçi-Vuçiq

Prishtinë | 10 Sht 2018 | 15:13 | Nga

Më shumë se rreth 27 vjet, në mars të vitit 1991, në qendrën turistike të gjuetisë Karagjorgjevo në Vojvodinë takohen Slobodan Milosheviq dhe Franjo Tugjman. Zyrtarisht biseduan për “zgjidhjen e krizës jugosllave”, rikujton “Danas” i Beogradit, dhe shton:

Jozyrtarisht, u morën vesh për ndarjen e Bosnjës e Hercegovinës sipas vijave etnike. Hollësitë nga takimi në Karagjirgjevo asnjëherë nuk janë bërë publike, dhe ato ishin dhe mbetën objekt spekulimesh, të revidimit historik, madje edhe të teorive të konspiracionit. Megjithatë, shumë nga aktorët e asaj “krize jugosllave” e kanë po(mo)huar se theksi i këtij takimi me të vërtetë ka qenë ndarja e Bosnjës. Millosheviq për “Serbinë e Madhe” të re kishte kërkuar të gjitha ato territore ku serbët përbënin shumicën etnike, kurse Tugjmani për Kroacinë e re kishte kërkuar Heregovinën perëndimore, ku kroatët janë shumicë etnike. Gjoja, Millosheviqi e Tugjmani këto vizione ia kishin vizatuar njëri tjetrit në salvetat (faculetat) e letrës. Sido që të jetë e vërteta, presidenti i Jugosllavisë së mbetur, Dobrica Qosiq, qysh në vitin tjetër në Gjenevë me Tugjmanin me të vërtetë nënshkroi marrëveshjen për “shkëmbim territoresh” dhe për të ashtuquajturën “zhvendosje humane të popullsisë”. Dihet çfarë ndodhi pastaj.

Dhe, 27 vjet më pas, në gusht të vitit 2018, në qendrën e kijimit dhe turistike Alpbah në Tirol, takohen Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi. Zyrtarisht bëhej fjalë për edhe një “Forum europian” me temën e famshme të paqes e të stabilitetit. Jozyrtarisht, Vuçiq dhe Thaçi disa Europianëve ua trumbetuan pikëpamjen e tyre mbi të ashtuquajturin “rikufizim” midis serbëve e të shqiptarëve në bazë të vijave etnike, përkatësisht mbi të ashtuquajturin “korrigjim të kufijve” ndërmjet Serbisë e Kosovës. Përafërsisht, pse ne në Ballkanin “Perëndimor” shkurt të mos “korrigjojmë” disa kufij “jokorrektë” etnikë? Komunat me shumicë serbe (Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe veriu i Mitrovicës) thjesht t’i takojnë Serbisë, kurse Presheva me shumicë shqiptare në mënyrë të përshtatshme t’i takojë Kosovës. Mund të “shkojë” edhe Bujanovci, nuk do ta fshehim, atje edhe ashtu 53 për qind sish janë shqiptarë, por kurrsesi Medvegja ku shqiptarë janë “vetëm” për qind. Kosova gjithsesi nuk e di çfarë të bëjë me veriun e mallkuar të asaj Kosove, ashtu si edhe Serbia me Luginën e shkretë të Preshevës, meqë multikulturalizmi është një trillim dinak, një konspiracion botës së kotë dhe në përgjithësi një fantastikë shkencore. Sikur të ishin evropianët të mençur, dhe sikur Vuçiqit e Thaçit t’ua kishin dhënë letrat e penat, dhe sikur ata të dy të kishin negociuar më shpejt dhe të ishin marrë vesh “Karagjorgjevisht” në atë art afatgjatë ballkanik të vizatimit të të kufijve etnikë. Ose, ata europianë ndoshta edhe janë të mençur dhe me urti kanë fshehur të gjitha salvetat si gjarpri këmbët? Sepse e dinë edhe ata çfarë kishte ndodhur pastaj.

Ka pasur raste e raste “ricaktim kufijsh”, “shkëmbim të popullsisë” dhe “zhvendosjesh humane” në bazë të linjave etnike e fetare në historinë europiane dhe të botës tjetër. Dhe ata asnjëherë, bash asnjëherë nuk janë treguar të mira. Njëmend, ç’është “rikufizimi”, nëse nuk është “pastrim” etnik? – shtron pyetjen “Danas”, transmeton Koha.net.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme