Danimarka e ndërpret plotësisht përdorimin e vaksinës “AstraZeneca”

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 18:12 | Nga Ekonomia Online

Danimarka ka ndaluar plotësisht administrimin e vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë “AstraZeneca”, shkaku i shqetësimeve për mpiksje të gjakut, duke u bërë shteti i parë evropian që merr vendim për pezullimin e tërësishëm të kurës.

Ky vendim pritet që ta prolongojë procesin e vaksinimit për disa javë. Disa shtete evropiane më herët kanë pezulluar përkohësisht vaksinimin me “AstraZeneca”, shkaku i efekteve të shfaqura anësore.

Shumica prej tyre kanë vazhduar procesin e vaksinimit, por e kanë kufizuar administrimin e tyre vetëm mes personave më të moshuar.

Të martën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian kanë pauzuar vaksinimin me kurat e “Johnson and Johnsonit”, për arsye të ngjashme të mpiksjes së rrezikshme të gjakut. Për vaksinat e “AstraZenecas” dhe “Johnson and Johnsonit”, efektet anësore të mpiksjes së gjakut janë shumë të rralla.

Zyrtarët danezë ndërkaq kanë njoftuar se 2.4 milionë dozat e vaksinës “AstraZeneca” do të tërhiqen nga përdorimi, deri në njoftimin e radhës. \ AP

Të ngjashme