Danimarka do të jetë kundërshtarja e parë e Kosovës këtë vit dhe ndoshta rivalja më e fortë e përfaqësueses në një ndeshje miqësore, shkruan sot Koha Ditore.
Konfirmimi i ndeshjes miqësore është bërë të mërkurën nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe sipas njoftimit do të luhet më 21 mars në stadiumin e qytetit në Prishtinë, “Fadil Vokrri”.
Përballja vjen katër ditë para ndeshjes së parë zyrtare për eliminatoret “Euro 2020” kundër Bullgarisë, që gjithashtu luhet në Prishtinë.
Kjo miqësore është produkt i vendimit të UEFA-s, që asnjë përfaqësuese të mos pushojë kur të tjerat luajnë ndeshje zyrtare. Dhe meqë Kosova është në një grup me pesë skuadra për Euro 2020, ajo doli e lirë në xhiron e parë, bashkë me Gjermaninë, Danimarkën, Uellsin, Serbinë dhe Azerbajxhanin, që po ashtu janë në grupe me nga pesë skuadra. Nëse Kosova nuk do të gjente vetë kundërshtare për miqësore, atëherë sipas rregullave këtë do ta bënte UEFA.
Rivale të fortë në miqësore Kosova kishte vetëm edhe Turqinë, por sot për sot Danimarka qëndron më lart me cilësi. Këtë e vlerësojnë edhe në shtabin teknik të Kosovës. Aktualisht Danimarka është e dhjeta në ranglistën e FIFA-s.