Ministri për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ka kërkuar që në ministrinë e tij të emërohet edhe një zëvendëministër.
Kjo ministri, aktualisht, ka katër zëvendësministra (Faruk Nura, Çerim Bajrami, Arian Daci dhe Afrim Bekteshi). Por Gashi, i cili merr pagë dhe si zëvendëskryeministër i Kosovës, ka kërkuar që të emërohet edhe një zv.ministër – i cili duhet të jetë një person që jeton në diasporë.
“Përfshirja e diasporës në Kuvend është vendim politik dhe kushtetues. Unë kam propozuar që një zv.ministër të emërohet prej diasporës. Ideja qëndron jo që dikush ka jetu në diasporë, por që jeton ende”, e ka arsyetuar Gashi propozimin.
Qeveria Haradinaj është vënë në thumb të kritikave për numrin e madh të zëvendësministrave. Numri i gjithëmbarshëm tashmë ka shkuar në rreth 70. Vetëm sot, u njoftua se janë emëruar tre zv.ministra të rinj.
Gashi i është përgjigjur deputetit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili kërkoi të informohet për çështjen e Kartonit të Gjelbër dhe zgjidhjen për këtë, ndërkaq ka pyetur edhe për 5 ulëset e rezervuara në Kuvend për Diasporën.
“Të rejat në këtë aspekt janë se kemi arritur ta përgjysmojmë tarifën, ndërsa deri në heqjen e tërësishme të policave kufitare po punojmë në këtë drejtim dhe kjo do të ndodhë në fazën e ardhshme. Tani procesi i blerjes së këtyre policave ka avancuar në atë elektronik, për t’i ulur pritjet e diasporës gjatë kthimit në atdheun e tyre”
“PK, bashkë me Byronë e Sigurimeve, do të angazhohen që kjo të jetësohet. Problemi është tek BQK-ja, e cila duhet të dakordohet për tarifat për këtë projekt. Dhe kur ky përfundon nuk do të presin në radhë”.
“Sa u përket ulëseve të rezervuara për Diasporën, kjo çështje është sa kushtetuese, aq edhe vullnet politik”, shtoi Gashi.
Për sa i përket investimeve strategjike, ministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, tha se në kuadër të kornizës ekzistuese ligjore për investimet strategjike, ekziston një mekanizëm i rëndësishëm për tërheqjen e investitorëve strategjik në përgjithësi, e në veçanti, të atyre që vijnë nga diaspora.
“Duke ditur potencialet e rëndësishme ekonomike të diasporës, si dhe dëshirën e tyre për të investuar në tregun e Kosovës, ne do të krijojmë të gjitha mundësitë dhe do të eliminojmë barrierat ekzistuese që investitorët strategjik nga diaspora të jenë pjesë aktive e investimeve strategjike”.
Në këtë kontekst, sqaroi ai më pas, Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me MTI-në dhe mekanizmat e tjerë institucionalë, do të hartojmë projekte potenciale në të cilat diaspora do të mund të investojë.
“Angazhimi ynë do të konsistojë në krijimin e hapësirës vepruese për diasporën, në mënyrë që potencialet e saj profesionale dhe intelektuale të vihen në dispozicion tëhvillimit të vendit tonë”.
Deputetët mirëpresin marrëveshjet e nënshkruara me Shqipërinë për Diasporën
Kryesuesja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh deputeti Visar Ymeri, dhe anëtarët e tjerë të komisionit parlamentar i kanë mirëpritur marrëveshjet e arritura me Republikën e Shqipërisë në fushën e diasporës dhe kanë kërkuar implementimin sa më të shpejtë të tyre.
Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka raportuar para Komisionit për strategjitë dhe politikat e ministrisë për Diasporën dhe sektorin e investimeve strategjike.
“Kemi nënshkruar tri marrëveshje në fushën e diasporës me Republikën e Shqipërisë. Ndërsa në fushën e investimeve nga viti 2007 ka pasur rënie të investimeve, ndërkaq presim gjatë këtij muaji të listojmë investitorin e parë strategjik në Republikën e Kosovës”, ka thënë zv. kryeministri dhe ministri I Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.
Deputetët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike janë informuar edhe për buxhetin e Ministrisë, funksionimin e fazës së investimeve strategjike, ligjet në fuqi dhe ato që priten të hyjnë në të mirë të Diasporës.