Anëtari i PSD-së dhe ish sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj ka reaguar në lidhje me blerjen e të drejtave televizive që bëri kompania Artmotion nga Telekomi i Serbisë.
Sipas tij, blerja nga Serbia e të drejtës për transmetimin e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës, është shkelje e sovranitetit të Republikës së Kosovës, për të cilën duhet të intervenojnë institucionet tona.
“UEFA ia ka shitur këtë të drejtë direkt një kompanie kosovare, pa pasur nevojë të kalojë përmes Serbisë, por kompania tjetër ARTMOTION, që është në pronësi të Devollëve, ka bërë marrëveshje me Telekomin e Serbisë që edhe ajo ta transmetojë Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës në Kosovë, në gjuhën serbe,” shkruan Molliqaj në Facebook.
Sipas tij, Këshilli i Pavarur Medial duhet të ndërhyjë urgjentisht për ta ndalur këtë intervenim të padrejtë të kompanisë Artmotion.