Deputeti Dardan Sejdiu dhe ish-nënkryetari i Prishtinës, ka thënë se nuk është kundër ndërtimit të xhamisë së Madhe në kryeqytet.
Përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ai shpjegon qëndrimin e tij rreth kësaj çështjeje.
Më poshtë shkrimi i plotë:
PËR XHAMINË E MADHE, PËR PROJEKTIN E ZAHA HADID
Në një postim të një miku për çështjen e Xhamisë së madhe, në të cilën ai propozon që të mblidhen fonde për ndërtimin e xhamisë sipas propozimit të arkitektës Zaha Hadid, unë jam shprehur për këtë propozim dhe jam zotuar që do të kontribuojë edhe financiarisht.
Pra, nuk jam kundër ndërtimit të xhamisë së madhe. Besoj thellësisht se ajo duhet të ndërtohet.
Por, unë besoj që Prishtina ime duhet ta ketë xhaminë më të bukur të kohës sonë. Prishtina ime, e Kosova jonë e ndërton këtë xhami me para tona, secilit nga ne që ka pak!
Xhamia në Prishtinë bëhet vendi ku secili musliman ndjehet në shtëpi të zotit e mysafiri ndjehet mirë në te.
Gjatë këtyre 20 viteve të pasluftës, në Kosovë janë ndërtuar shumë xhami të reja. Me donatorë të llojllojshëm dhe me arkitekturë të ndryshme. Jo rrallëherë pa përfshirjen e komunitetit lokal fetar dhe të profesionistëve: arkitektë, urbanistë, ndërtimtarë, historianë, islamologë etj.
Prishtina ime, e kaltër si qielli e ka zemrën e dashurinë me ba një xhami që na e zbukuron vendin, na i mbush zemrat e na mbanë bashkë. Prishtina ime e ndërton xhaminë vet.
Sa për informim Zaha Hadid është arkitektja e parë grua që e ka fituar çmimin Pritzker Architecture në vitin 2004. Kjo zonjë ka propozuar edhe një zgjidhje për xhaminë e madhe në Prishtinë. E ky është edhe projekti që mbështes.