Deputeti nga partia Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë se Partia Socialdemokrate i konsideron Qeverinë dhe Presidentin e Republikës së Kosovës përgjegjës për gjendjen aktuale.
Sipas tij Sejdiut së pari duhet të ketë bashkim të opozitës dhe pastaj konsensus për dialogun, njofton Ekonomia Online.
Postimi i plotë:
“Para se disa nga partitë opozitare të flasin për strategjinë politike të PSD-së, ato duhet të përgjigjen për rezultatin e strategjisë së tyre disamujore për rrëzimin e qeverisë, apo përpjekjen për bllokimin e pushtetit? A kanë pasur ndonjë sukses me këtë strategji?”.
“E nisën me tryeza të partive politike, pastaj hoqën dorë nga to. Vazhduan me “bojkot” të Kuvendit, pastaj u kthyen në seanca pa asnjë rezultat. E nisën me kërkesën për mocion mosbesimi (edhe pse asnjëherë nuk i dhanë nënshkrimet), përfunduan me një rezolutë që kërkon dorëheqjen e qeverisë! Në fund u kthyen aty ku e nisën: po kërkojnë sërish tryezë të partive politike!”.
“Partia Socialdemokrate i konsideron Qeverinë dhe Presidentin e Republikës së Kosovës përgjegjës për gjendjen aktuale. Rrjedhimisht betejën e ka me pushtetin. Besojmë që së pari duhet të ketë bashkim të opozitës dhe pastaj konsensus për dialogun. Mirëpo, për bashkim të opozitës duhet vullnet politik edhe nga të tjerët. E respekt të ndërsjellë. Sidomos nga subjektet më të mëdha në kuvend”.
“Ne nuk besojmë që zgjidhja është ankesa dhe vajtimi, por angazhimi për të ndërtuar strategji të përbashkët, përballë një pushteti të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar”.