Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit mbi klimën e biznesit në botë për vitin 2019, thuhet se me gjithë përparimet, rritja ekonomike e Kosovës dhe tërheqja e investimeve, sfidohen nga shumë faktorë përfshirë shkallën e lartë të korrupsionit.
Në raport thuhet se megjithëse është vendi më i ri dhe më i varfër në Evropë, Kosova ka shënuar rritje pozitive ekonomike prej 4 për qind mesatarisht gjatë dekadës së fundit.
Patundshmëritë janë tërheqësit më të mëdhenj të investimeve të huaja të drejtpërdrejta, të ndjekura nga shërbimet financiare dhe ndërtimet. Sektorët e ushqimeve, teknologjisë informative, infrastrukturës dhe energjisë janë në rritje dhe paraqesin mundësitë më të mëdha për tërheqjen e investimeve të huaja.
Megjithëse zbatimi i ligjit mbetet i dobët, thuhet në raport, ligjet dhe rregulloret e Kosovës janë në përputhje me synimet për mbështetjen dhe mbrojtjen e investimeve.
“Kosova ka një taksë të sheshtë prej 10 për qind për korporatat”, thuhet në raport. Në vitin 2016, Kosova ratifikoi një ligj të investimeve strategjike që synonte të lehtësonte qasjen në treg për investitorët në sektorët kryesorë dhe qeveria punoi në partneritet me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë për të nisur Fondin e Garancisë së Kredive, i cili përmirëson qasjen në kredi.
Me ndihmën e USAID-it, theksohet në raport, ministria e Tregtisë dhe Industrisë u përfshi në një program për të përmirësuar renditjen e Kosovës në Treguesin e të bërit biznes, të Bankës Botërore. Kosova u ngrit për 20 vende duke u radhitur në vendin e 40-të në raportin e Bankës Botërore “Mbi të bërit biznes” në vitin 2018, pastaj në vendin e 44-të në raportin e vitit 2019. Kjo ishte rrjedhojë e rezultateve të larta të Kosovës në kategoritë e ‘lehtësisë së regjistrimit të një biznesi’ dhe ‘transferimit të pronës’.
Kosova ka një kuadër të mirë ligjor për mbrojtjen e pronës intelektuale, por zbatimi mbetet sfidë, kryesisht për shkak të mungesës së burimeve.
Raporti vëren se një varg faktorësh e sfidojnë rritjen e qëndrueshme ekonomike të Kosovës, përfshirë; integrimin e kufizuar ekonomik global, paqëndrueshmërinë politike, korrupsionin dhe furnizimin e paqëndrueshëm me energji, ekonominë informate dhe sundimin e dobët të ligjit, duke përfshirë një mungesë të dukshme të zbatimit të kontratave.
Anketat, thuhet në raport, dëshmojnë për perceptimin e publikut se korrupsioni është i përhapur në prokurimet publike dhe bizneset vendore dhe ndërkombëtare e shohin korrupsionin si një nga pengesat më të mëdha të Kosovës për tërheqjen e investimeve.
Mes tjerash në raport theksohet se Gjykatat e Kosovës konsiderohen si të ndikuara politikisht nga qeveria dhe ushtrojnë trajtim të veçantë ose “drejtësi selektive” për individë të profilit të lartë dhe me lidhje të forta. Për shembull, ndërkohë që normat e dënimeve nga gjykatat përputhen me mesataret rajonale, norma bie në mënyrë të konsiderueshme për rastet e korrupsionit të profilit të lartë. Kosova, thuhet në raport, ka miratuar ligje të forta për të luftuar korrupsionin, por qeveria deri më tani ka qenë e pasuksesshme në përpjekjet për të hetuar, ndjekur penalisht, burgosur dhe konfiskuar pasuritë e individëve të korruptuar.
Vendi, thuhet në raport, vazhdon të mbështetet në përkrahje të konsiderueshme financiare ndërkombëtare dhe në dërgesat e diasporës. Dërgesat janë një burim domethënës i të ardhurave për Kosovën dhe ato paraqesin mbi 12 për qind të GDP-së, ose mbi 900 milionë dollarë në vitin 2018. Shumica e tyre vijnë nga vendet evropiane, veçanërisht Gjermanisë dhe Zvicra. Raporti citon Bankën Qendrore të Kosovës sipas së cilës, dërgesat kryesisht nuk përdoren për qëllime investimi.
Publiku, thuhet në raport, vazhdimisht e rendit shkallën e lartë të papunësisë në Kosovë, që sipas të dhënave zyrtare të vitit 2018 arrin në 29.6 për qind, si një ndër shqetësimet më të mëdha. Shkalla e papunësisë tek të rinjtë dhe gratë është dukshëm me e lartë se të dhënat zyrtare.
Megjithatë, thuhet në raport, përkundër sfidave, Kosova ka tërhequr një numër investitorësh të rëndësishëm duke përfshirë edhe kompani amerikane. Disa investitorë janë tërhequr për shkak të popullsisë relativisht të re të Kosovës, çmimi i ultë u fuqisë punëtore, afërsia me tregun e Bashkimin Evropian me të cilin Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, si dhe burimet natyrore.
Raporti përmend edhe problemet që pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës për t’u vënë tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës. /Zëri i Amerikës/