Një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) për trafikimin e qenieve njerëzore vë në pah se Shqipëria nuk përmbush kushtet minimale për eliminimin e këtij lloj trafiku.
Raporti thekson se viktimat e huaja nga vendet e Evropës, Filipinet dhe Nigeria janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar në Shqipëri.
“Sikundër është raportuar gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria mbetet vend burimi, vend kalimtar dhe destinacioni për burrat, gratë dhe fëmijët në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar. Gratë dhe fëmijët shqiptarë janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar posaçërisht gjatë sezonit turistik. Trafikantët përdorin premtime të rrejshme, siç janë martesat apo vendet e punës për t’i detyruar viktimat të përfshihen në këtë trafik.
Ata po përdorin gjithnjë e më shumë mediet sociale për rekrutimin e viktimave. Fëmijët përdorën për lypësi dhe punë të tjera si tregtizat e vogla. Fëmijët, kryesisht të komunitetit rom shfrytëzohen në Turqi për punë sezonale. Ka pasur raste kur fëmijët janë shfrytëzuar në fushat e kanabisit. Viktimat shqiptare janë subjekte të trafikut të seksit gjithandej Evropës, posaçërisht në Kosovë, Greqi, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar. Viktimat e huaja nga vendet e Evropës, Filipinet dhe Nigeria janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar në Shqipëri. Migruesit e paligjshëm nga Azia, po punësohen shpesh në familjet e kamura duke u bërë të brishtë përballë punës së detyruar.
Qeveria e Shqipërisë, thuhet në raport, nuk i përmbushë plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por, po bën përpjekje të dukshme për ta bërë këtë. Qeveria po demonstron shtim përpjekjesh në krahasim me të kaluarën duke ndjekur dhe dënuar më shumë trafikues dhe duke shfrytëzuar për herë të parë “fondin e posaçëm” për mbrojtjen e viktimave që është ngritur nga pasuritë e konfiskuara nga trafikantët. Megjithatë, qeveria nuk i ka përmbushur standardet minimale në disa fusha themelore. Policia vazhdoi të shfaqë një mirëkuptim të kufizuar të trafikimit të qenieve njerëzore dhe në disa raste dështoi të identifikojë viktimat e trafikimit në mesin e individëve të përfshirë në prostitucion të detyruar ose robëri shtëpiake.
Qeveria hetoi dy viktima dhe dënoi një viktimë për veprime të paligjshme të kryera si rezultat i nënshtrimit ndaj trafikimit, edhe pse ligji i përjashton viktimat nga ndëshkimi për krimet e kryera si rezultat i shfrytëzimit të tyre. Raporti i rekomandon Shqipërisë që të zbatojë ligjin që përjashton viktimat nga dënimi në raste të tilla; të trajnojë policinë, inspektorët e punës dhe zyrtarët e tjerë për identifikimin e viktimave; të vazhdojë që hetojë, ndjekë dhe dënojë fuqishëm trafikantët; të shtojë mbrojtjen e viktimave nga frikësimet dhe kërcënimet gjatë proceseve gjyqësore duke lehtësuar përfshirjen në programet e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të zgjerojë trajnimin e prokurorëve që merren me viktimat – dëshmitarë; të shtojë fondet për Organizatat joqeveritare që strehojnë viktimat, të rrisë mundësitë e policisë kufitare dhe të mbrojë fëmijët në rrugë”.