Një dasmë kosovare, nga e cila dolën fotografi ku shihej dhëndri dhe nusja të rrethuar me tifozë të Arsenalit, ka bërë bujë edhe në mediat botërore.
Kaltrim Agushaj u martua me Edisonën të shtunën në një ceremoni që bëri bujë për “dashurinë” e dytë të Kaltrimit – Arsenalin.
Miqtë më të afërt të dhëndrit dhe familjarët e tij kishin veshur fanella të Arsenalit dhe pozuan para se të nisnin të këndonin këngë për klubin e tyre të zemrës.
“Ishte ide spontante nga miqtë e mi që në dasmë të kisha edhe pjesë nga Arsenali”, ka thënë Kaltrimi për “Goal”. “Ishte surprizë edhe për ta, por jam i lumtur që në fund të gjithë ishin të kënaqur. Jam fans i Arsenalit qe 17 vjet, që nga viti 2000. Pa Arsenalin jeta ime nuk ka kuptim”.
“Reagimi ishte pak i çuditshëm sepse gruaja ime nuk e priste. Ajo u befasua sepse ishte ditë e veçantë për ne! Ishte dasma jonë dhe ishte surprizë nga miqtë e mi fansa të Arsenalit, të cilët i ftuam në dasmë. Ajo pranoi dhe ishte e lumtur në fund. Ne nuk mund të refuzojmë të bartim fanellën e Arsenalit, edhe në dasmë! Fatmirësisht edhe ajo është fanse e Arsenalit”, ka shtuar më tej ai.