Presidenti i Partive Popullore Evropiane, Jozef Daul, duke u drejtuar simpatizantëve të LDK-së në Gjilan tha se brenda dy javësh do të merren vendime të mëdha, duke i porositur qytetarët që të mos zgjedhin ata që do ta qojnë Kosovën në një qorrsokak, por të votojnë LDK-në për një të ardhme evropiane, raporton Ekonomia Online.
Ai ka vlerësuar kandidatin për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa e Avdullah Hotit për kryeministër duke thënë se ai është një frymë e re për të cilën Kosova ka nevojë.
“Unë kam pasur kënaqësinë ta takoj zotëri Hotin dhe besoj që keni bërë një zgjedhje të duhur për ta quar Kosovën në një të ardhme më të mirë. Është i ri dhe kompetent është një frymë e re dhe është njeri për të cilin Kosova ka nevojë”, ka thënë Daul.
Hoti: Ne nuk e kritikojmë Brukselin, por do të plotësojmë kriteret
Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, u zotua para qytetarëve të Gjilanit se do ti bëjë pjesë të qeverisë së tij strukturat e LDK së nga kjo komunë.
“Ne kemi një listë të jashtëzakonshme njerëz me kompetencë me duar të pastra dhe plani jonë është për zhvillim ekonomik për të ardhura për pensione për biznese. Jam i bindur që do ti hapim 80 mijë vende të punës në qeverinë e ardhshme. Ne kemi plan se si ta luftojmë përfundimisht krimin dhe korrupsionit dhe këtë e kemi provuar dhe kemi quar përpara këtë mision sepse është vlerë e LDK-së dhe kërkesë e partnerëve evropian. Ne do të merremi me tema të mëdha dhe nuk e kritikojmë Brukselin, por do plotësojmë kushte. Ju garantojmë të rinjve që do të lëvizin lirshëm pa viza në Evropë”, ka thënë Hoti, raporton EO.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, vlerësoi lartë mbështetjen që po i jep atyre Partia Popullore Evropiane me pjesëmarrjen e presidentit të saj në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore.
Haziri: Kandidatët për deputetët kanë dy detyra
Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, në fjalën e tij drejtuar bashkëqytetarëve tha se koalicioni bindjet dhe angazhimin e tij e ka lidhur me kandidatin për kryeministër Avdullah Hoti.
Haziri pati edhe një mesazh për kandidatët për deputetë nga kjo komunë, raporton Ekonomia Online.
“Të nominuarit për deputetë kanë detyrën e parë e kanë për ta votuar kryeministrin dhe të dytën e kanë për t’i mbështetur të gjitha vendimet e mëdha të koalicionit”, porositi Haziri.