Problemit të objekteve të palegalizuara në Prishtinë zotohet se do t’i jap fund Daut Haradinaj, nëse zgjidhet kryetar i kryeqytetit në zgjedhjet e 17 tetorit.
Ai ka paraqitur plan konkret se si do ta përmbush këtë synim dhe zotim të tijin.
Haradinaj, në programin e tij, ka thënë se 46 mijë njësive banesore pa leje në Komunën e Prishtinës do të trajtohen nga qeverisja e tij.
Por, si është paraparë që t’i jepet fund një problemi që po zgjat për vite të tëra?
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga AAK, Daut Haradinaj, thotë se do të ngritët një Komision i Ekspertëve, që do të bëj kontrollimin teknik të objekteve që do të kërkojnë legalizim në Prishtinë.
Sipas tij, ky proces do të nis në gjashtëmujorin e parë të tij në krye të Komunës së Prishtinës.Komisioni do të përbëhet nga arkitektë, ndërtimtarë, inxhinierë të makinerisë, elektroinstalimeve e hidroinstalimeve, ekspertë për mbrojtje nga zjarri e juristë, në mënyrë që të studiohen të gjitha aspektet e ndërtimeve pa leje.
Haradinaj ka thënë se komisioni do të bashkëpunojë ngushtë me ndërtuesit, por edhe me pronarët e tokave.
Kandidati për kryetar të kryeqytetit ka filluar të prezantojë projekte konkrete për Prishtinën. Ai, gjatë ditëve dhe javëve të kaluara, është duke takuar qytetarë anekënd kryeqytetit. Nga opinioni, qasja e tij proaktive për t’u gjetur zgjidhje problemeve të shumta në Prishtinë, është vlerësuar pozitivisht.