Davenport: Numri i rasteve të dhunës në familje është rritur, indikacion që gratë po e ngrisin zërin

Prishtinë | 17 Maj 2023 | 16:14 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar Udhëzuesin për punë efektive të mekanizmave koordinues komunal kundër dhunës në familje, raporton Ekonomia Online.

Udhëzuesi është mbështetur nga Qeveria e Francës, teksa siç ka bërë të ditur shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ai është i përkthyer në katër gjuhë.

Davenport tha se udhëzuesi ka për qëllim që t’i përforcojë mekanizmat komunal kundër dhunës në familje si dhe efektivitetin e tyre, e cila, siç tha ai, më shumë prek vajzat dhe gratë.

“Ky udhëzues ka për qëllim që t’i përforcojë mekanizmat komunal kundër dhunës në familje si dhe efektivitetin e tyre. Dua ta falënderoj Qeverinë e Francës për mbështejte financiare dhe angazhim aktiv. Udhëzuesi është në 4 gjuhë të ndryshme sepse është e rëndësishme që të jetë i qasshëm për të gjithë”.

“Nuk besoj se ka nevojë qe ta përmendi se dhuna në familje është shkelje e të drejtave ndërkombëtare të njeriut, e cila më shumë i prek vajzat dhe gratë dhe ka shpesh impakt negativ jetëgjatë”.

Ai tutje tha se viktimat e dhunës familjare kanë nevojë për drejtësi, por edhe mbështetje, teksa ka përmendur se ka një trend rritës në denoncimin e këtyre rasteve, sidomos nga minoritetet.

“Viktimat e dhunës familjare kanë nevojë për drejtësi por edhe për mbështetje. Është shumë e rëndësishme që të punojmë së bashku që t’i parandalojmë këto raste dhe t’i adresojmë ato kur ndodhin”.

“Është shqetësuese që numri i rasteve është rritur, sidomos në vajzat dhe gratë e minoriteteve. Ndoshta ky është një indikacion që ato po e ngrisin zërin dhe po i denoncojnë rastet”.

Daveport tregoi se Udhëzuesi është i bazuar në Konventën e Stambollit dhe se është e rëndësishme që çdo komunë ta përshtatë sipas nevojave të veta e të bashkëpunojë edhe me nivelin qendror.

“Besoj që ky udhëzues është rruga e duhur për t’i bërë më funksional këta. Mbledhja e të dhënave, analiza dhe raportimi janë mekanizma që niveli lokal mund t’i bëjë për të ndihmuar zhvillimin e poltikave që e ndihmojnë Kosovën. Mirëpo, duhet bashkëpunim edhe me nivelin qendror”.

“Udhëzuesi është i bazuar në Konventën e Stambollit, e cila u adaptua në legjislaturën e Kosovës në 2020. E kuptojmë që një “një madhësi nuk u përshtatet të gjithëve”, prandaj është e rëndësishme që secila komunë t’i inkorporojë mekanizmat siç i përshtatet asaj sepse asnjë komunë nuk është e njëjtë me një tjetër”.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës ne baza gjinore është prioritet qeverisës.

Ajo ka kërkuar që lufta kundër dhunës të luftohet bashkërisht nga burrat dhe gratë, teksa ka potencuar edhe përgjegjësinë e institucioneve.

“Një nga prioritetet tona si Qeveri është adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës ne baza gjinore. Çdo ditë dëgjojmë lajme për dhunë fizike, psiqike, ngacmime seksuale, privim nga prona etj”.

“Askund në botë nuk mundet qe lufta mes burrit dhe gruas të luftohet vetëm nga gratë. Andaj mendoj që është e rëndësishme që t’i bashkojmë forcat, burra e gra, që ta arrijmë barazinë dhe jo diskriminimin”.

“Është e rëndësishme përgjegjësia nga të gjitha institucionet, si qeveria, kuvendi dhe institucionet e drejtësisë. Strategjia kombëtare është instrumenti kryesor që adreson dhunën në familje. Duhet ta adresojmë jo vetëm viktimën por edhe dhunuesin prandaj kemi lansuar kurikulën për trajtimin e dhunuesve”.

Ambasadori i Francës, Oliver Guerot, tha se arsyeja pse Franca është ka mbështetur këtë udhëzues është se ajo është e përkushtuar në të drejtat e njeriut, veçanërisht në ato të vajzave dhe grave.

“Arsyeja qe e po e financojmë këtë projekt është se Franca është moti e përkushtuar në të drejtat e njeriut dhe të drejtat e njeriut janë universale. Të drejtat e vajzave dhe grave janë prioritet për neve. Kjo është evidentuar në vitin 2019 kur Macron lansoi diplomacinë feministë”.

Tutje, ai ka përgëzuar Kosovën për ratifikimin e Konventës së Stambollit, teksa u shpreh i lumtur që është “në anën e atyre vendeve që kujdesen për këtë problem”.

“Si pjesë e kësaj kornize, kemi promovuar edhe ratifikimin e Konventës së Stambollit. Dua ta përgëzoj Kosovën që ka bërë një gjë të tillë. Dhuna në familje është një problem me të cilin çdo shtet ballafaqohet. Ka vetëm një dallim, qeveritë që nuk përkujdesen dhe ato që përdorin çdo mekanizëm për ta adresuar problemin. Jam i lumtur që Kosova është në anën e atyre vendeve që kujdesen. Jam i impresionuar nga përkushtimi i të gjithë aktorëve, qeverisë dhe të tjerëve”, ka thënë ai, raporton EO.

Të ngjashme