Ish-futbollisti 45-vjeçar, David Beckham, besohet se është duke diskutuar me televizionin BBC dhe kompaninë Netflix, për krijimin e një emisioni të gatimit i cili do të zhvillohej nga kompania e tij, “Studio 99”.
Besohet se ideja rreth këtij projekti i ka lindur pasi, aftësitë e tij në gatim janë përmirësuar dukshëm gjatë kohës së karantinës, kur Beckham ishte përkushtuar në kuzhinë i ndihmuar edhe nga vajza e tij 8-vjeçare, Harper, transmeton Koha.
“Një prej dobive të rastësishme të karantinës për Davidin, ishte mundësia për ta bërë atë që e pëlqen më së shumti, e që është gatimi. Ai i ka rikrijuar disa prej recetave të vjetra të nënës së tij, dhe së fundmi si dhuratë për ditëlindje i ka pranuar shumë enë të kuzhinës,” citohet të ketë thënë një burim i afërt i Beckhamit, për gazetën “The Sun”.
Ylli i pensionuar i futbollit, i cili është i martuar me këngëtaren e shndërruar në disenjatore, Victoria Beckham, tashmë ka pranuar këshilla rreth projektit të propozuar edhe nga miku i tij, shefi i famshëm i kuzhinës, Gordon Ramsay.
Në anën tjetër, duket se televizionet dhe platformat digjitale janë të entuziazmuara të punojnë me më shumë yje të sportit, sidomos pas suksesit të jashtëzakonshëm të dokumentarit të yllit të basketbollit Michael Jordan, “The Last Dance”, i cili u shndërrua në hit të Netflixit.
“Studio 99” është krijuar për prodhimin e dokumentarëve, emisioneve dhe formateve tjera televizive, dhe David tashmë është përkushtuar të marrë pjesë në disa prej projekteve të kompanisë, që janë në zhvillim e sipër.