Me vetëm 17 vjet, ai është fytyra e futbollit kanadez – ndoshta futbollisti më i talentuar që ka dalë nga MLS.
Pak pasi të festojë ditëlindjen e 18-të, ai do të largohet nga Vancouver Whitecaps për t’iu bashkuar klubit më të suksesshëm të Gjermanisë, Bayern Muenchen.
Është ky Alphonso Davies, për të cilin Bayerni ditë më parë pagoi 11.5 milionë euro dëmshpërblim, duke u bërë transferimi më i shtrenjtë i ligës së SHBA-së dhe Kanadasë – MLS.
“Bayerni ka marrë një talent të jashtëzakonshëm me një çmim shumë të lirë. Për këtë jam 100 për qind i sigurt”, ka thënë ish-seleksionuesi i Përfaqësueses së Kanadasë, Octavio Zambrano, që i mundësoi Daviesit të regjistrojë disa paraqitje vitin e shkuar.