Antonio Junior apo A.J. Davis (206 cm) është njëri prej përforcimeve të shumta që i ka bërë Z Mobile Prishtina gjatë kësaj vere, por atij i është nevojitur vetëm një ndeshje për të pushtuar zemrat e tifozëve.
Davis është njëri prej shtatë përforcimeve të huaja te bardhekaltrit, që bashkë me vendorët nuk arritën të kalojnë raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve me gjithë pritjet e mëdha. Ndeshjen e parë Prishtina e fitoi në shtëpi më 20 pikë diferencë përballë kampionit të Holandës, Donar, shkruan sot Koha Ditore.
Të dytën në udhëtim e humbi me 25 pikë për t’u eliminuar për vitin e dytë rresht në këtë raund të kësaj gare.
Me gjithë eliminimin, Davis ishte ndër më të dalluarit dhe më atraktivi te Prishtina. Në duelin e parë në Prishtinë, ai ishte koshashënuesi më i mirë me 25 pikë të shënuar e nëntë kërcime. Në disa raste, Davis e ngriti publikun në këmbë me ngulitjet e tij.