D&D Business Support Center lansoi sot Udhëzuesin për Partneritet Publik Privat (PPP) i cili do t’iu shërbejë në veçanti Komunave të Republikës së Kosovës për të iniciuar dhe realizuar investime në projekte të ndryshme kapitale përmes PPP-ve.
Ky projekt është përkrahur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe është realizuar nga D&D Business Support Center.
Me rastin e lansimit të këtij udhëzuesi, drejtori i D&D Business Support Center, Safet Fazliu, tha se qëllimi kryesor i këtij udhëzuesi, është të rrisë njohuritë, kapacitetet institucionale dhe individuale të akterëve të nivelit lokal (qeveritë lokale, sektori privat dhe komunitetet) për të identifikuar, planifikuar, hartuar dhe zbatuar projekte, respektivisht për të realizuar investime përmes PPP-ve si një mundësi reale për zhvillim ekonomik lokal, e pashfrytëzuar mjaftueshëm deri më tani.
Udhëzuesi lehtëson ndjekjen e hapave praktikë, ligjorë dhe përzgjedhjen e modeleve më të mira, në harmoni me praktikat e suksesshme për të gjitha fazat e një procesi të investimeve me PPP, që nga faza e identifikimit të projekteve, përzgjedhjes, parafizibilitetit, fizibilitetit, prokurimit, kontraktimit, monitorimit, deri tek përmbyllja e një projekti.
Partneriteti Publik Privat (PPP) tashmë është i njohur si koncept zhvillimor dhe si mundësi për nxitjen e rritjes ekonomike në të gjithë botën. PPP-të po aplikohen si mundësi për përshpejtimin e rritjes ekonomike përmes zhvillimit të sektorëve të ndryshëm, e veçanërisht në sektorin e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike.
Ky model i ri i zhvillimit ekonomik, ndihmon rivitalizimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe transformimin e rajoneve të pazhvilluara në qendra gjallëruese që tërheqin biznese të reja dhe investime private.
Ndonëse PPP-të ndryshojnë nga shteti në shtet, ato zakonisht përfshijnë partnerë publikë dhe privatë që punojnë në bashkëpuni, për të nxitur financimin, talentet, teknologjitë dhe ekspertizën, si sinergji për të promovuar investime të reja dhe zhvillim.
Për qeveritë lokale, me kufizime buxhetore, PPP-të janë bërë mjete të fuqishme për të realizuar një sërë investimesh të zhvillimit ekonomik lokal, që përndryshe nuk do të kishin mund të ndodhnin.
Ky koncept zhvillimor, kur shoqërohet me politika të duhura, mjedis ligjor dhe institucione funksionale, mund të jetë një katalizator i fuqishëm për rritje ekonomike të një vendi.
Partneritetet më të mira publike-private në botë, bashkojnë ekipe të fuqishme të liderëve të biznesit dhe ekspertë të zhvillimit ekonomik, të cilët shfrytëzojnë resurset e një vendi për të krijuar një strategji koherente për zhvillim dhe për të transformuar vendin në një ambient atraktiv për investime dhe biznes.
Që nga viti 2009, Kosova ka një mjedis ligjor dhe institucional, si dhe një direktivë që rregullon sistemin e PPP-së, të qartë, moderne dhe në përputhje me direktivat e BE-së.
Përvoja e komunave të Kosovës në identifikimin, implementimin dhe monitorimin e projekteve përmes PPP-ve është ende modeste, me një sasi të kufizuar investimesh që janë përmbyllur dhe disa të tjera në planifikim e sipër.
Mungesa dhe kufizimet buxhetore komunale, në njërën anë dhe nevoja për infrastrukturë dhe shërbime gjithnjë në rritje në anën tjetër, vetëm sa e shtojnë rëndësinë e njohjes dhe forcimit të kapaciteteve për PPP – të, si një mundësi për shumëfishim të investimeve në fusha të ndryshme në nivel lokal, e në veçanti në infrastrukturën dhe ofrimin e shërbimeve publike.
PPP-të iu mundësojnë komunave tona rritje të investimeve të brendshme dhe mundësi për investime të huaja direkte, si dhe përmes saj, zhvillim ekonomik lokal, shtim të vendeve të punës, përmirësim të shërbimeve publike për qytetarët, modernizim të infrastrukturës dhe mirëqenie më të mirë sociale për qytetarët në nivel lokal.