De Ligt është përfundimisht futbollist i Juventusit. Sipas të përditshmes më të madhe holandeze “De Telegraaf”, Juventusi dhe Ajaxi kanë arritur më në fund marrëveshjen për mbrojtësin 19-vjeçar. De Telegraaf përfaqëson një ndër burimet më të mirinformuara në lidhje me këtë çështje.
Matthijs de Ligt nuk u përfshi fare në kontigjentin e futbollistëve që u grumbulluan për të nisur fazën përgatitore me Ajaxin e Amsterdamit, pikërisht klubin ku mbrojtësi nga Leiderdorpi filloi karrierën e tij si profesionist, duke mbajtur veshur për tre sezone fanellën e “harkëtarëve”.
Për hir të së vërtetës zërat për një mbyllje të marrëveshjes ndërmjet dy klubeve në fillimin e javës së ardhshme, të hënën ose ditën e martë, ishin shtuar ndjeshëm, sepse në fakt akordi ndërmjet de Ligtit dhe “zonjës së Vjetër” ishte arritur prej kohësh, por tani gjithçka mund të quhet e mbyllur, pasi bëhet e ditur edhe shuma e transferimit, plot 70 milionë euro, transmeton tch, përcjell Klan Kosova.
Marrëveshja me klubin e Ajaxit arriti në fazën përmbyllëse, pas një beteje të gjatë që zgjati me muaj me Barcelonën, megjithatë pas parakalimit të klubit katalan gjërat u komplikuan disi në aspektin financiar, megjithëse diferenca ndërmjet kërkesës dhe ofertës nuk ishte shumë e madhe.
Klubi nga Amsterdami pretendonte 75 milionë euro, ndërsa Juventusi gjatë javës u ngjit deri në 67. Kështu, pas mesfushorit francez Adrien Rabiot, bardhezinjtë afrojnë në gjirin e skuadrës gjithashtu edhe holandezin de Ligt, duke kopsitur përfundimisht edhe repartin difensiv, repart që tradhtoi ambiciet e “zonjës së Vjetër” edhe në Champions League, për shkak të mungesës së kapitenit Giorgio Chiellini, ku si për ironi të fatit golin e eliminimit në fazën çerekfinale, për më tepër brenda në “Allianz Stadium” e shënoi pikërisht qendërmbrojtësi i Ajaxit Matthijs de Ligt.