Qendërmbrojtësi holandez, Matthijs de Ligt, beson se ai e ka gjetur vendin e tij në Juventus, pasi e kishte nisur karrierën e tij në Serie A me disa gabime, që nxitën kritika të mëdha ndaj 20-vjeçarit.
Juventusi i shpenzoi 75 milionë euro gjatë afatit kalimtar të verës për ta transferuar Matthijs de Ligtin nga Ajaxi. Ai tashmë është duke e zëvendësuar Giorgio Chiellinin e lënduar në vijën e mbrojtjes së bardhezinjve.
“Unë po mësohem me mënyrën se si luajnë djemtë. Ishte ndjenjë e mirë të fitojmë kundër Bayer Leverkusenit”, ka thënë De Ligt, pas fitores 3:0 të mbrëmshme në kuadër të Ligës së Kampionëve.
“Tani, gjërat po shkojnë mirë. Unë isha kapiteni i Ajaxit dhe atje kisha mundësi ta them fjalën time, ndërsa këtu fillimisht është dashur ta gjej vendin tim. Tani ndihem se e kam gjetur dhe jam i lumtur për këtë gjë”.
“Italia njihet si vend me skuadra defansive, por trendi po ndryshon: vetëm shikoni se sa lart qëndron këtu vija e mbrojtjes. Ne e kemi një trajner të ri dhe unë nuk jam i vetmi që duhet ende të përshtatem”.
“Për fat të keq, unë e nisa keq, por ne duhet të përmirësohemi çdo ditë dhe për çdo ndeshje. E rëndësishme është çfarë po bëj tani dhe po eci mirë”.
Megjithatë, 20-vjeçarit nuk i ka shkuar gjithçka ashtu siç do të kishte dëshiruar, veçanërisht pas kritikave që ai i kishte marrë gjatë disfatës me rezultat 4:3 kundër Napolit.
“Do të më pëlqente një ndeshje pa gabime, por e di se është e pamundur. Ndoshta është mirë për mua të luaj në atë mënyrë. Kjo më ndihmoi ta përshpejtoj rritjen time”, përfundoi holandezi.