Qendërmbrojtësi Matthijs de Ligt dëshiron të qëndrojë te Juventusi për një kohë të gjatë dhe në një intervistë dhënë të premten për televizionin e skuadrës nga Serie A ka deklaruar se është më se krenar që vesh fanellën e ekipit më të madh në Itali, shkruan sot Koha Ditore.
De Ligt ka regjistruar 17 paraqitje këtë edicion me Juventusin, duke kontribuuar me një gol prejse u transferua nga skuadra e Ajaxit në verën e këtij viti për 85.5 milionë euro dëmshpërblim. Gjatë tërë kësaj kohe, De Ligt vazhdimisht ishte në presion për të treguar paraqitje të mira te Juventusi pasi pati detyrë ta zëvendësojë kapitenin Giorgio Chiellini, që u dëmtua në ndeshjen e parë të sezonit. 20-vjeçari është kritikuar dhe lavdëruar për paraqitjet e tij deri më tash te Juventusi dhe ka pranuar se për të është një sfidë jashtëzakonisht e madhe për të mbuluar mungesën e njërit prej mbrojtësve më të mirë në botë, Chiellini.
“Për mua është një sfidë e madhe që jam pjesë e Juventusit, ekip që është totalisht ndryshe prej atij të Ajaxit ku jam zhvilluar si futbollist. Unë po shpresoj dhe besoj se do të jem pjesë e Juventusit edhe për shumë vjet të tjerë, pasi qysh tash jam i gatshëm ta vazhdoj kontratën”, është shprehur De Ligt, i cili ka kontratë me Juventusin deri në verën e vitit 2024. “Në momentin e parë që Juventusi tregoi interesim për mua, e dija se do të jetë ekipi im i ardhshëm. Gjithmonë e kam dashur këtë ekip dhe jam krenar që bart fanellën e Juventusit, njërit prej ekipeve më të mëdha jo vetëm në Itali, por edhe në botë”.
De Ligt ka shtuar se transferimi i tij te Juventusi ka ardhur si shpërblim për paraqitjet e mira dhe suksesin që ka pasur me Ajaxin. 2019-ta për të është vit që nuk do ta harrojë kurrë. Edicionin e shkuar, De Ligt me vetëm 19 vjet ishte kapiten i Ajaxit dhe fitoi titullin e kupën e Holandës, derisa me ekipin nga Amsterdami arriti deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve