Mbrojtësi i Ajaxit, Matthijs de Ligt, ka thënë se është shumë pranë vendimit përfundimtar për të ardhmen, me Barcelonën dhe Manchester Unitedin që janë duke e vëzhguar nga afër situatën e tij.
19-vjeçari gëzoi një sezon fantastik më 2018/19, duke marrë lëvdata të mëdha nga të gjitha anët për paraqitjet e tij në 55 ndeshje në të gjitha garat.
Përfaqësuesi i Holandës i ndihmoi skuadrës së Erik ten Hag t’i fitojë ligën dhe kupën e Holandës, derisa luajti edhe rol kyç në ecurinë e skuadrës deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Barcelona dhe Unitedi janë favoritë në garë për t’i siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit adoleshent, me Juventusin po ashtu si destinacion i mundshëm për të.
De Ligt tani ka dhënë indikacione të mëdha se në verë do të largohet nga Ajaxi, sepse e pranoi se është duke menduar për ta zgjedhur opsionin më të mirë për të ardhmen.
“Jam shumë i ngazëllyer për atë që mund të ndodhë në të ardhmen e afërt. Ama po përpiqem të jem i qetë”, tha De Ligt për RTL4.
“Këtë e shoh si sfidë, kjo është më e rëndësishmja. I kam disa opsione dhe dua ta zgjedh më të mirin. Logjikisht, secili opsion është më i mirë se tjetri”, shtoi ai.