De Mistura rinis bisedimet për paqe në Siri

Prishtinë | 09 Maj 2017 | 09:04 | Nga

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan De Mistura, do të rinisë javën e ardhshme bisedimet politike midis qeverisë dhe opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshjen për paqe.

Zyra e De Misturas tha se bisedimet do të zhvillohen më 16 maj në Gjenevë.

De Mistura tha se shpreson se marrëveshja që kanë arritur javën e kaluar Rusia, Irani dhe Turqia, për krijimin e zonave të sigurta në Siri, do t’i vendosë bazat për negociatat e OKB-së.

De Mistura po ashtu shfaqi shpresën se kjo marrëveshje do të zbatohet dhe se do të zvogëlojë dukshëm dhunën.

Irani dhe Rusia mbështesin presidentin sirian, Bashar al-Assad, ndërsa Turqia mbështet rebelët që e luftojnë atë.

Duke shpallur marrëveshjen, tri vendet kanë thënë se do të garantojnë armëpushimin në zonat e sigurta, i cili ka nisur fundjavën e kaluar.

Vitet e nismave diplomatike kanë dështuar t’i japin fund luftës gjashtëvjeçare në Siri, e cila ka lënë mbi 320,000 njerëz të vrarë dhe ka zhvendosur miliona.

Palët mbeten të bllokuara për fatin e Assadit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme