Debat i ashpër për vlerat e UÇK-së

Prishtinë | 28 Tet 2016 | 08:17 | Nga

Me debat të ashpër dhe akuza të rënda është zhvilluar seanca e jashtëzakonshme e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, në të cilën u diskutua për vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deputetët e subjekteve opozitare kanë drejtuar akuza të shumta për koalicionin qeverisës duke thënë se ky koalicion në njërën anë voton për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila, sipas tyre, do ta gjykojë UÇK-në e në anën tjetër po ky koalicion, sipas opozitarëve, po derdh “lot krokodili” për dënimin e ish-luftëtarëve. Madje, opozitarët thanë se kjo seancë nuk do t’u ndihmojë aspak të dënuarve në “Grupin e Drenicës”.

Seanca filloi me një orë vonesë, gjë për të cilën u ankuan deputetët opozitarë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, ka thënë se nuk do të pajtohen asnjëherë me aktgjykime të padrejta.

“Do të vazhdojmë të mos pajtohemi për asnjë çast me aktgjykime që kanë bërë bazë motive të tjera jashtë drejtësisë deri në ftesë dhe kërkojmë mbështetje edhe nga kolegët tjerë deputetë. Të nderuar kolegë deputetë, po besoj që në fund të këtij debati të ulemi dhe bashkërisht të bëjmë një dokument, një rezolutë, në mënyrë që mesazhi im për vlerat më të mira të këtij vendi, vlerat e luftës çlirimtare të Kosovës sot të dalë i përbashkët dhe të dëshmojmë edhe një herë se në momente të tilla kur ka të bëjë me vlerat kombëtare të gjithë duhet dhe mund të jemi bashkë”, ka deklaruar Pajaziti.

Selimi: Ju e votuat Gjykatën Speciale, mos derdhni lot krokodili

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, duke thënë se ky koalicion qeverisës e ka votuar Gjykatën Speciale, prandaj ka thënë se këta deputetë nuk duhet të derdhin lot krokodili.

“A nuk jeni ju që e keni votuar Gjykatën Speciale, a nuk jeni ju deputetët e njëjtë, ju të gjithë, le të më ndjejnë ata që nuk e ndiejnë veten aty, që keni votuar edhe për amnistinë e kriminelëve serbë dhe sot vini këtu derdhni lot krokodili për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, a nuk jeni ju ata deputetë të cilët keni kërkuar vazhdimin e mandatit të EULEX-it e tash dilni kundër vendimeve të gjykatës së EULEX-it, thirrje këtij debati pas gjithë kësaj që ia keni bërë UÇK-së është thjesht një hipokrizi, lot krokodili për ata të cilët ju paraprakisht i keni dënuar”, është shprehur Selimi.

Kurse deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, e akuzoi presidentin e vendit Hashim Thaçin, të cilin e quajti kryetradhtar.

“Se për ju të nderuar kolegë deputetë, dhe për qytetarët është më se e qartë se letrat e fundit të kryetradhtarit Hashim Thaçi janë vazhdimësi e komplotit që i bëhet të kaluarës së lavdishme dhe perspektivës evropiane të këtij vendi. Ato letra kanë adresa të qarta, nuk e kanë adresë Serbinë sepse ai tashmë është miqësuar me Serbinë, i ka adresë djemtë dhe vajzat dhe unë dyshoj me të drejtë se mbrapa atyre letrave ai edhe emrat i ka çuar kë duhet ta çojë në burg…” ka deklaruar Berisha.

Në anën tjetër kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se nuk është e nevojshme të ngrihet zëri në Kuvend duke e shfrytëzuar foltoren e tij për politikë.

“Sa i përket disa sesioneve të vrazhda mbi drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me tendencën ndarëse të saj, veçanërisht për njerëzit që kanë mbetur gjallë më duhet të theksoj që nuk mund ta duash UÇK-në abstrakte, s’ka ekzistuar pa njerëzit e saj, pa gabimet e saj dhe të tentosh ta kriminalizosh Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës mund ta duash, ose të mos e duash Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ishin gjithë qytetarët e këtij vendi që luftuan për liri dhe pavarësi, nuk duron askush veten, as familjen e vet me akuzat që ia bënë çdo luftëtari apo individi në veçanti kush ka akuza le t’i drejtohet gjykatave”, ka potencuar Veseli.

Ndërkohë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Ushtria Çlirimtare është vlerë që na bashkon.

“Mendoj që UÇK-ja është vlerë që na bashkon, nuk mund ta mbrojë kurrkush UÇK-në duke i sulmuar themeluesit e UÇK-së nuk ka luftë të madhe të UÇK-së me komandantë të vegjël, edhe Napolon Bonaparta s’ka qenë qysh mendojnë ata, por e ka glorifiku populli francez. Ne i kemi luftëtarët tanë, njerëzit tanë, tash jemi konkurrentë, konkurrencën më 12 qershor e këndej e bëjmë sa të jeni gjallë, para 12 qershorit nuk jemi konkurrentë në ato vlera…”. deklaroi Kuçi.

Limaj: Jemi vonuar!

Lideri i “Nismës për Kosovën”, Fatmi Limaj, ka thënë se kjo seancë është tepër e vonuar dhe se një seancë e tillë më se paku ose hiç nuk i ndihmon askujt.

“Këtë seancë e shikojnë edhe ata që për çka është thirrur edhe familjarët, edhe qindra qytetarë me shpresën mos po del diçka nga kjo seancë. Sot po e bëjmë një gabim, të gjithë në sallë e dinë që kjo seancë veç sa i dëmton njerëzit për të cilët është thirrur. A e dinë sot për çka po flasim, ne po flasim pa vendimit të Apelit”, ka thënë Limaj.

Sipas tij, një pjesë e deputetëve sot janë në Kuvend vetëm të dalin të flasin dhe duke përpjekur që të fitojnë vota.

Limaj ka thënë se shteti nuk ka bërë asnjë mbrojtje për interesin publik.

Konfrontohen Kuçi e Berisha

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka replikuar ashpër me deputetin e “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, duke i thënë se CV-ja e tij është shumë më e mirë dhe më e pastër se e tij.

“Në fund CV-ja ime është më e mirë se e jotja… mos e shih veten si monopolues të UÇK-së”, i është drejtuar Kuçi deputetit Berisha. Por i ashpër ishte edhe reagimi i Berishës.

“Në vitet e ’80-ta kur unë isha në burg me vëllezërit e mi, t’i ishe milic në Vushtrri”, ka replikuar ai. Por Kuçi i është kundërpërgjigjur duke thënë se në vitet e ’80-ta nuk ka qenë polic, por një nxënës i shkëlqyeshëm.

Seanca ndërpritet për shkak të fjalëve dhe akuzave të rënda

Seanca u ndërpre në orën 14:00 për të bërë një pauzë njëorëshe, mirëpo ajo nuk vazhdoi deri në orën 16:00. Ndërsa pas pak kohe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u detyrua të vendosë edhe për një pauzë pesëminutëshe në mënyrë që të qetësohet situata pas debatit të ashpër dhe akuzave të rënda ndërmjet të deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Fisnik Ismaili, dhe deputetit të PDK-së, Shaip Muja.

“Më duhet të ruhem nga ti se mund të më zësh në ndonjë qosh dhe ma merr veshkën”, ka thënë Ismaili pas disa replikave me deputetin Muja. Ndërsa ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke thënë se raporti i Dick Martit bazohet në deklarata të tilla. “Mbi këso deklaratash është ngritur raporti i Dick Martit”, është shprehur Muja. Më pas disa deputetë të PDK-së kanë fyer deputetin opozitar.

Pas pauzës pesëminutëshe deputeti Ismaili ka thënë se fjalët e tij të mëhershme për çështjen e  veshkave nuk kanë të bëjnë me periudhën e luftës, por me rastin gjyqësor të pasluftës.

Kurti akuzon pushtetin

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka akuzuar rëndë pushtetin duke thënë se personat të cilët nuk po mundet t’i kontrollojë përmes tenderëve ose përmes formave të tjera, ose nëse ka frikë se mund të jenë të padëgjueshëm po i fut në burgje.

“Burgjet ekzistojnë për t’i zbutur njerëzit e edhe burgjet e pasluftës përdoren për t’i zbutur luftëtarët, e ata që nuk zbuten i mbajnë ende. E këtë njerëz nuk janë shkak i së kaluarës, por për të ardhmen. Ata që janë të pakontrolluar ata i pret burgu e ata që janë të kontrolluar ata i presin favoret”, është shprehur Kurti, duke thënë se edhe në këtë seancë dëgjoj se janë dënuar njerëz nën akuzat se kanë një person, por që nuk dihet as kë e ka vrarë, as kur e ku e ka vrarë.

Kjo seancë është thirru nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, pas dënimit të “Grupit të Drenicës”, nga Gjykata e Apelit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme