Deputeti Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se koalicioni PAN-i i ka votat për ta formuar Qeverinë.
Lekaj tutje ka akuzuar kryesuesin në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovcin, për thirrje të seancave pa pajtimin e subjektit kryesor politik.
Edhe Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk do të marrin pjesë në seancë pasi kryesuesi Adem Mikullovci ka caktuar seancën pa u konsultuar me të gjitha partitë politike.
“Kjo i takon PAN dhe askujt tjetër, nuk mund të vëni kushte se kush do të jetë kandidat. Është z .Veseli që do të zgjidhet dhe kandidati për kryeministër Haradinaj, që shumë shpejtë edhe qeveria do të formohet. Mos të krijohet huti, pse iu pengon kandidati i PAN, pse e pengoni, pse nuk e votoni, jepni rrugëzgjidhje. Tani thirret seanca e njëanshme dhe sot ne bisedojmë është e pakuptimtë dhe e padrejtë. Ne si AAK nuk marrim pjesë në këto seanca që thirren pa pëlqimin e subjekteve politike. Të thirret një seancë e tillë është e ngutshme dhe është e padrejtë”, tha ai.
Ndërkohë Mikullovci i është përgjigjur akuzave të bëra, duke thënë se ”PAN po thotë të pavërteta dhe po zhagit proceset”.
Mikullovci pas këtij debati tha se nuk do ta anulojë seancën e nesërme.