Debate të gjata me akuza e kundër akuza, madje edhe me ofendime e duke prekur jetën personale e kanë shoqëruar Kuvendin e Kosovës në këtë sesion të punimeve, raporton Ekonomia Online.
Numër i madh i debateve për temat aktuale janë propozuar nga opozita, duke bëra që ato të zgjasin me orë të tëra, e në fund të mosmiratohet rezoluta e propozuar në mungesë të mospërkrahjes nga pozita.
Për këtë deputeti nga Vetëvendosje, Agon Batusha në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se shumica e debateve parlamentare që po bëhen nga opozita janë për inate politike dhe nxitje për akuza.
Madje ai thotë se po shihet që qytetarëve t’u paraqiten argumente të paqëndrueshme e të pavërteta, ngase në të kundërtën do të merreshin për bazë nga Qeveria.
“Shumica e debateve parlamentare që i kemi pasur kanë qenë kryesisht të nxitura për vëmendje për arsye se po varet koha kur po nxiten debati që po bëhet dhe argumentet që po jepen. Dhe shumica kanë qenë jashtë kohës. Dhe debatet që po bëhen janë kryesisht nga opozita për inate politike personale dhe jo në gjuhën e argumentit apo për t’i zgjidhur apo ruajtur institucionet e vendit”.
“Deputet dëshirojnë të bëjnë akuza. Për mua ka rëndësi debati, argumenti që jepet dhe nëse argumenti jepet në dobi të shtetit dhe institucioneve natyrisht që nga pozita do të merren parasysh, por shumica e debateve që po zhvillohen janë vetëm të nxisin akuza dhe të depërtojnë te qytetarët përmes argumenteve të paqëndrueshme dhe të pavërteta”, tha Batusha.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj tha se nga debatet në Kuvend duhet të rikthehet vëmendja dhe përgjegjësia e Qeverisë.
Sipas tij, debatet mund të jenë vlerësim për qytetarët se si është gjendja politike në vend, por edhe për institucionin ose procesin për të cilin është zhvilluar diskutim.
“Sa më shumë që ka debat parlamentar rikthehet vëmendja dhe përgjegjësia e Qeverisë së munguar edhe pse duket që fare nuk e kanë këtë brengë fatkeqësisht. Po këtu duhet ta vlerësojnë vetë qytetari për shërbime të cilat i’u mungojnë dhe për vështirësitë që ata hasin në marrjen e shërbimeve shëndetësore dhe kjo e dëmton shëndetin e pacientëve dhe shëndetin publik në përgjithësi dhe e dëmton shëndetin ekonomik dhe buxhetit të shtetit me të gjitha këto keqpërdorime që po ndodhin në vazhdimësi”.
“Kjo është natyra e Kuvendit dhe debati është i mirë çfarëdo qoftë që është aty. Në fund të fundit e nxjerr një përfundim dhe një vlerësim për organet të cilat drejtohen rezoluta, por edhe një vlerësim për qytetarët se si është gjendja politike në Kosovë”, tha Zemaj.
Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj tha se asnjë iniciativë e opozitës nuk është përkrahur nga shumica parlamentare, raporton EO.
Ajo shton se rezolutat e propozuar do të duhej që të harmonizoheshin nga pozita e opozita.
“Debatet parlamentare gjithmonë ngritën edhe nga pozita dhe opozita dhe ngritën për çështje që ne kemi shqetësim dhe kemi argumentim dhe fakte dhe secili deputet e parashtron këndvështrimin e vet për çështjen e caktuar dhe në fund zakonisht propozohen rezoluta që kish qenë mirë me qenë të harmonizuara mes pozitës dhe opozitës të cilat nuk janë rezoluta politike, por janë rezolute të cilat nuk paraqesin probleme për miratim”.
“Kjo është e keqja sepse kur opozita thirr debat parlamentar dhe propozon rezolutë mazhoranca propozon kundër rezolutë e që nuk ka ndodhur më herët. Asnjë iniciativë e opozitës nuk është përkrahur nga shumica parlamentare”, tha Kadriaj.