Në organizim të Germin-it e me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës është mbajtur një debat me përfaqësuesit e diasporës me temën “Avancimi i rolit të diasporës: sfidat dhe mundësitë”.
Në këtë diskutim u shtruan shumë çështje të rëndësishme të raporteve të Kosovës me diasporën dhe u konkludua se duhet ta rritet komunikimin e ndërsjellë edhe për të hequr paragjykimet që po lindin herë pas here.
Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka shtuar nevojën për gjetjen e një modeli për riorganizimin e diasporës pasi që ajo është futur në një fazë tranzicioni.
Më tutje Murati ka theksuar domosdonë që shteti i Kosovës dhe Shqipëria të trajtojnë më seriozisht çështjen e organizimit të mësimit shqip në diasporë, nevojën e rritjes së pjesëmarrjes politike në institucione (sidomos në Kuvendin e Kosovës) dhe punën që duhet të bëhet në fushën investimeve nga diaspora sidomos në përmirësimin e sundimit të ligjit përmes forcimit të sistemit gjyqësor, zgjidhjes së problemeve energjetike si dhe punës në aftësimin profesional të fuqisë së re punëtore.
“Në të gjitha këto pika sqarova angazhimin e MeD, mundësitë e saj si dhe nevojën për një qasje më të gjerë shtetërore dhe kombëtare për zgjidhjen e disa prej problemeve që u shtruan”, ka shkruar Murati në faqen e tij në Facebook.