Gjatë vitit të kaluar katër komunat e rajonit të Pejës kanë gëzuar mbështetje financiare nga ministritë e linjave në një vlerë prej 38 milionë e 600 mijë eurosh, shkruan sot Koha Ditore.
Më së tepërmi nga kjo përkrahje financiare e nivelit qendror për realizimin e projekteve te saj ka përfituar Komuna e Deçanit, e drejtuar nga AAK-ja. Shuma e këtyre projekteve kapin një vlerë prej 33 milionë eurosh.
Kjo shumë ishte bërë publike vjet edhe nga kreu i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, i cili ka nënshkruar vjet me ministritë e linjave marrëveshje mirëkuptimi dhe memorandume për investime në Komunën e Deçanit.
Zëdhënësja e Komunës së Deçanit, Yllarta Thaqi, ka treguar se disa projekte janë realizuar apo kanë nisur vjet dhe që janë duke u implementuar, dhe projektet që do të nisin në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara.