Deputeti Ilir Deda tërheq vërejtjen se shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale nga Kuvendi i Kosovës do ta fuqizonte Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Deda ka thënë se liderët e koalicionit qeverisës kanë vendosur ta izolojnë dhe defunksionalizojë shtetin e Kosovës.
“Sonte ndodhi një moment dramatik. Deklarimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë nuk janë vetëm deklarime diplomatike, por mesazhe që ua kanë dhënë udhëheqësve tanë. Ne do të izolohemi nga bashkësia ndërkombëtare. E shfuqizuan këta, apo jo, Gjykatën Speciale, ne po harrojmë që ekziston edhe Rezoluta 1244”, tha Deda, raporton Ekonomia Online.
Deda i bëri komentet para gazetarëve, derisa po mbahej mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e cila është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e 43 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrat e Prokurorit.
“Unë kam pyetje për Thaçin dhe liderët e koalicionit: A e kanë ndërmend ata me e fuqizu Rezolutën 1244 dhe me e kthy autoritetin e Kombeve të Bashkuara me këtë rezolutë?”
“Kjo nuk është vetëm një ligj i zakonshëm, nuk është një seancë e jashtëzakonshme. Këtu jemi me të vërtetë duke luajtur me të ardhmen e shtetit tonë. Ne nuk mund ta lejojmë ta shkatërrojmë shtetin për shkak të papërgjegjësisë së 20 politikanëve”, theksoi deputeti i Alternativës.