Dëgjimi, çelësi që fëmijët të bëhen të rritur të shkëlqyer

Prishtinë | 20 Nën 2021 | 07:50 | Nga Ekonomia Online

Është tashmë e ditur gjerësisht dhe pohuar nga të gjitha studimet dhe psikologët, duke filluar nga freudi etj., që karakteri i çdo njeriu formohet që në moshë shumë të vogël, pra që ndikimin kryesor dhe të drejtpërdrejtë mbi karakterin e një fëmijë e kanë prindërit. Shumë çrregullime që shfaqen tek të rriturit si p.sh. Neurozat, psikozat, çrregullime të karakterit, të cilat i çojnë pacientët te psikiatri apo psikologu, bazën e kanë të gjithë në fëmijërinë e hershme. Kemi zgjedhur të flasim mbi ndikimin e jashtëzakonshëm që mund të ketë prindi në vetëbesimin, formimin e karakterit, në individualitetin dhe unicitetin që duhet të përfaqësojë çdo fëmijë në moshë madhore, pra kur të jetë një i rritur.

Çelësi është dëgjimi

M.Scott Peck, psikolog dhe autor i bestsellerit “The road less travelled”, flet për një pikë mjaft interesante në librin e tij mbi faktin që, koha që ne i kushtojmë të mësuarit të fëmijëve, se si lexojnë, është në proporcion jo të drejtë me atë kohë që ata do e përdorin aftësinë e të lexuarit kur të rriten. Një i rritur do kalojë 80% të kohës së tij duke dëgjuar dhe ndoshta 20% duke lexuar. Varet nga individët dhe puna që bëjnë. Është e çuditshme si asnjë nuk i kushton rëndësi të mësuarit të fëmijëve se si të dëgjojnë. Ky proces është i vështirë, kërkon përqendrim maksimal. Të lënit çdo gjë mënjanë, fokusimi dhe të kuptuarit të çdo fjale që thotë bashkëbiseduesi, lektori, shefi, bashkëshorti dhe sigurisht fëmija. Procesi i të dëgjuarit të një fëmije ndryshon në varësi të moshës së tij. Të marrim shembullin e një fëmije 6-vjeçar në klasë të parë. Në këtë moshë, fëmijët janë kryesisht shumë energjikë dhe flasin pothuajse pa pushim.

Si mundet një prind t’i përgjigjet një të folure të tillë pothuajse pa pushim?

1.Duke e ndalur së foluri, shumë prindër, sidomos ata shqiptarë dhe në praninë e babait, fëmijët nuk duhet të dëgjohen.

2.Lejimi i fëmijës të flasë, por praktikisht duke mos dëgjuar asnjë fjalë nga ato që ai thotë, duke e lënë të flasë me ajrin dhe duke krijuar një zhurmë që mund të jetë apo jo bezdisëse.

3.Pretendimi sikur po e dëgjon. Herë pas here thjesht, duke nxjerrë ndonjë pasthirrmë: “ah”, “ëhë” apo “kuptoj”, që fëmija të mendojë se po e dëgjon.

4.Dëgjimi në mënyrë selektive. Kjo është mënyra në të cilën prindi e dëgjon fëmijën sa për të kuptuar nëse është duke thënë ndonjë gjë të rëndësishme, edhe të jetë i aftë t’i japë përgjigje fëmijës me përpjekjen minimale.

5.Dëgjimi me të vërtetë i fëmijës, fjalë për fjalë të asaj çfarë thotë, duke lënë çdo preokupim, çdo gjë mënjanë, të jesh 100% i pranishëm, i përqendruar.

Sigurisht që s’mund të pritet dhe as të kërkohet nga prindi që tërë kohën ta dëgjojë fëmijën sipas mënyrës së pestë. Do të ishte shumë e lodhshme dhe nuk do t’i mbetej më energji për asgjë tjetër. Së dyti, do të ishte tmerrësisht e mërzitshme, sepse në përgjithësi biseda e një 6-vjeçari, ndryshe nga e një lektori që ne kemi dëshirë për të mësuar nga ai gjëra të reja, është efektivisht e mërzitshme.

Pra, ajo që kërkohet, është një balancë e të pestave mënyrave. Gjetja e kësaj balance nuk është e thjeshtë, por as e vështirë. Duke e njohur çdo ditë fëmijën tonë, e kuptojmë kur është e nevojshme t’i themi të pushojë, pasi na duhet një përqendrim maksimal diku tjetër, po tregohet i pasjellshëm apo kur po ndërpret një të rritur. Do kuptojmë që kur fëmija nuk pret që ne ta dëgjojmë, por që thjesht flet për të folur, edhe është i lumtur me këtë gjë. Kur ai nuk po thotë asnjë me rëndësi, por thjesht pret nga ne ato pasthirrmat thjesht për të treguar që jemi të pranishëm, kur duhet ta dëgjojmë në mënyrë selektive dhe kur duhet ta dëgjojmë me të vërtetë fëmijën.

Shumica e prindërve dështon me mënyrën e fundit. Maksimumi që ata mund të bëjnë, është dëgjimi në mënyrë selektive, pavarësisht se ata mund të besojnë se po dëgjojnë vërtet. Kjo është fshehje nga vetja dhe dembelizëm. Për të dëgjuar dikë me të vërtetë, sidomos një fëmijë, kërkohet një përpjekje maksimale.

Përqendrim Total

Nuk mund të jesh duke bërë diçka dhe duke dëgjuar dikë në të njëjtën kohë. Lër çdo gjë mënjanë. Është koha e fëmijës. Jeni vetëm ju të dy.

Liro mendjen

Çdo gjë që është e jotja, shqetësimet, preokupimet. Mos mendo asgjë përveçse për të dëgjuar dhe kuptuar atë çfarë fëmija thotë. Të dëgjosh një fëmijë 6-vjeçar në mënyrë të tillë është shumë e lodhshme. Atëherë pse të mundohesh, pse të vësh aq shumë mund për të dëgjuar ato që thotë një fëmijë në atë moshë?

1.T’i japësh fëmijës suaj të njëjtën rëndësi, ta dëgjosh në të njëjtën mënyrë siç do të dëgjoje një lektor të madh, atëherë fëmija do e ndiejë veten të vlefshëm. Është prova më konkrete e vlerësimit që ju keni për fëmijën.

2.Sa më shumë të vlerësuar ta ndiejë veten, sa më i vlefshëm t’i duket vetja, aq më shumë do fillojë të thotë gjëra gjithmonë e më me vlerë, sepse ju po e dëgjoni. Atëherë ai do mundohet të thotë gjëra që janë brenda pritshmërive tuaja.

3.Sa më shumë që ju ta dëgjoni fëmijën tuaj, aq më shumë do jeni në gjendje të kuptoni që, ndërmjet atyre bisedave të mërzitshme, të zakonshme, fëmija juaj me të vërtetë që ka gjëra të vlefshme për të thënë. Pohimi që, “mençuria më e madhe vjen nga goja e fëmijëve”, është i vërtetë për këdo që me të vërtetë e dëgjon fëmijën e tij. Dëgjojeni fëmijën tuaj mjaftueshëm dhe do ta kuptoni që është një individ i jashtëzakonshëm, i veçantë. Sa më shumë të bindeni për këtë fakt, aq më shumë do jeni të
gatshëm ta dëgjoni dhe aq më shumë do bindeni për individin unik që është fëmija juaj.

4.Sa më shumë të dini për fëmijën tuaj, aq më mirë do të dini se si ta mësoni atë. Kur dini pak për fëmijën tuaj, ose do përpiqeni t’i tregoni, mësoni fëmijëve gjëra që ata nuk janë gati t’i mësojnë apo gjëra që ata i dinë dhe i kuptojnë ndoshta më mirë edhe se vetë ju.

5.Sa më shumë që fëmija ta ndiejë vlerësimin tuaj, që ju e konsideroni njeri të jashtëzakonshëm, aq më shumë do jetë i gatshëm t’ju dëgjojë dhe të kenë të njëjtin vlerësim për ju. Sa më të përshtatshme të jenë gjërat që ju i mësoni atij, duke u mbështetur tek ajo çfarë dini tashmë për të, aq më shumë do jetë i gatshëm të mësojë nga ju. Dhe, sa më shumë që mësojnë, aq më shumë të jashtëzakonshëm dhe të shkëlqyer do të bëhen. Nëse lexuesi mund ta perceptojë karakterin ciklik të këtij procesi, ai po e vlerëson reciprocitetin e dashurisë. Në vend të një cikli vicioz që shkon për poshtë, është një cikël kreativ në rritje, i evolucionit dhe zhvillimit. Vlera krijon vlerë. Dashuria reflekton dashuri!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme