Dehari: Qytetarët na kanë ngarkuar me përgjegjësinë ta udhëheqim Kosovën me maturi dhe urti

Prishtinë | 22 Mar 2021 | 10:39 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rreth gjysmë ore vonesë ka filluar seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ai që ka hapur këtë seancë ishte deputeti më i vjetër i Kuvendit të ri, Avni Dehari, i Vetëvendosjes.

“Sot është një ditë tepër e veçantë dhe e rëndësishme për të gjithë neve. Qytetaret dhe Qytetarët e Republikës së Kosovës që të gjithëve pozitë dhe opozitë na kanë ngarkuar me përgjegjësinë ta udhëheqim Kosovën me maturi dhe urti të madhe”, tha Dehari, në fjalën hyrëse.

Ai ka kërkuar nga deputetët e zgjedhur të respektojnë masat anti-Covid dhe të mbajnë maskat.

FJALIMI I PLOTË:

Sot është një ditë tepër e veçantë dhe e rëndësishme për të gjithë neve. Qytetaret dhe Qytetarët e Republikës së Kosovës që të gjithëve pozitë dhe opozitë na kanë ngarkuar me përgjegjësinë ta udhëheqim Kosovën me maturi dhe urti të madhe.

Me 14 shkurt të këtij viti, votueset dhe votuesit e Republikës së Kosovës me bindje të plotë dhe me çiltërsinë më të madhe na kanë falur besimin t’i përmbushim me sukses pritjet për ta parë Kosovën, atdheun tonë të shtrenjtë, shtet funksional e demokratik ku të gjithë qytetaret dhe qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë etnike, gjinore, fetare, e politike ta ndjejnë veten të sigurt, të qetë, të barabartë dhe të lumtur.

Më 14 shkurt të këtij viti, votueset dhe votuesit e Kosovës, me vullnetin e tyre të shprehur me votë të lirë pozitë dhe opozitë na kanë ngarkuar me përgjegjësi të shumta që me pjekuri politike të krijojmë hapësirë të përshtatshme që të gjithë qytetaret dhe qytetarët brenda dhe jashtë institucioneve të angazhohen me përkushtim të madh për ta bërë Kosovën shtet që ofron punësim, stabilitet, zhvillim, përparim, qetësi, mirëqenie ekonomike, paqe të qëndrueshme dhe marrëdhënie të shëndosha në të gjitha fushat me fqinjët dhe popujt e rajonit dhe botës.

Qytetaret dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, me shprehjen e vullnetit demokratik përmes votës së lirë nga të gjithë ne pozitë dhe opozitë kërkojnë dhe na obligojnë t’i ruajmë vlerat e lirisë, demokracisë, dhe t’i forcojmë marrëdhëniet me aleatët tanë tradicional, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shtetet e Evropës, dhe me shtetet të botës që na kanë mbështetur në ditët më të vështira dhe që po na mbështesin për t’u integruar në Bashkimin Evropian, në organizatën e Kombeve të Bashkuara, në NATO, dhe në të gjithë organizatat e tjera politike, ekonomike, e kulturore ndërkombëtare.

Faleminderit për vëmendjen, suksese të përbashkëta.

Të ngjashme