Deklarata kundërthënëse lidhur me llogaritjen e pikëve të kandidatëve për student

Prishtinë | 01 Sht 2018 | 09:41 | Nga

Pesë studentë të Fakultetit të Filologjisë, në programin Gjuhë dhe Letërsi Gjermane në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, janë pranuar si studentë të rregullt, pavarësisht diferencës në pikët e grumbulluara me ato të kërkuarat për pranim.

Sekretari i Universitetit të Prishtinës dhe dekania e këtij fakulteti japin deklarata të ndryshme për llogaritjen apo numërimin e pikëve të grumbulluara nga kandidatët për student.

Sipas konkursit, këta kandidatë i përkisnin Kategorisë A për nxënësit që kanë diplomë për kryerjen e shkollës së mesme e nuk kanë pasur provim të maturës. Suksesi në shkollën e mesme duhet të ishte 30 pikë, ndërsa suksesi në provim pranues 70 pikë.

Mirëpo, këta pesë studentë, nga 30 pikët e suksesit të shkollës së mesme, më së shumti kishin grumbulluar 24 pikë, ndërsa më së paku 18.

Kur bëhet fjalë për 70 pikët që nevojiteshin për provim pranues, njëra nga pesë kandidatët kishte arritur 100 pikë, ndërsa më së paku një kandidate kishte arritur 82 pikë.

Sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi tha për KALLXO.com se nuk mund të flasë për pikët e grumbulluara nga këta kandidatë, sepse ato janë llogaritur nga fakulteti dhe komisionet e tij.

“Mënyra e mbledhjes së pikëve të suksesit dhe provimit pranues për kandidatët të cilët nuk kanë pasur provim të maturës është e specifikuar në konkurs. Ndërsa sa i përket pikëve të provimit pranues që kanë arritur kandidatët e apostrofuar nga ju, nuk mund të jap kurrfarë komenti pasi kjo çështje është në kompetencë të fakultetit dhe komisioneve të cilët i kanë kontrolluar pyetjet dhe vlerësuar përgjigjet”, ka thënë Kelmendi.

Por, dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, nuk e thotë të njëjtën gjë.

Ajo tha për KALLXO.com se llogaritja dhe konvertimi i pikëve bëhet në mënyrë automatike nga zyra e IT-së në Administratën Qendrore në UP.

“Llogaritja e koeficientit dhe konvertimi në përqindje i pikëve nga suksesi në shkollimin e mesëm dhe provimi pranues bëhet në mënyrë automatike, sipas formulës së integruar në sistemin e brendshëm elektronik për menaxhimin e studentëve në UP “Hasan Prishtina”, SEMS. Për çështje rreth formulës dhe konvertimit, mund ta kontaktoni zyrën për IT në Administratën Qendrore të UP-së”, ka thënë Rugova.

Të ngjashme