Paralajmërimi i shefit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, për serbët në Kosovë që të mos bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës, sepse mund të dënohen deri në dhjetë vjet burg, për njohësit e fushës së sigurisë në Kosovë është shantazh dhe veprim jo demokratik.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Serbia nuk është për zgjidhjen e çështjes së fqinjësisë me Kosovën.
Sipas tij, Serbia përmes Gjuriqit po tregon se nuk është e interesuar të zgjidhë çështjen e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.
“Serbia nuk është për zgjidhjen e çështjes së fqinjësisë dhe të qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës. Ata jetojnë në Kosovë dhe normal që janë të thirrur të jenë pjesë e shoqërisë kosovare, e institucioneve të Kosovës, pse jo edhe pjesë e ushtrisë së Kosovës. Ata janë trajtuar të barabartë gjatë së kaluarës në TMK dhe tani në FSK. Po them edhe njëherë, Serbia përmes Gjuriqit po tregon se nuk është e interesuar të zgjidhë çështjen në rend të parë të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë. Nuk kam koment. Një njeri që mendon shëndosh dhe jeton në botën demokratike nuk mund ta kuptoj një deklaratë të tillë”, ka thënë Kastrati.
Duke shpresuar që këto deklarata të mos ndikojnë tek qytetarët serbë, Kastrati ka porositur ata të bëjnë jetë normale dhe të shikojnë përpara, ndërsa assesi të mos ndikohen nga deklaratat e politikanëve me orientim nacionalist dhe shovinist.
“Dëshiroj që këto deklarata të mos ndikojnë tek qytetarët serbë në Kosovë. Ata nuk duhet t’i dëgjojnë deklaratat e njerëzve me pikëpamje nacionaliste apo shoviniste, të shikojnë jetën e tyre përpara, pasi që askush nesër s’ka për t’iu ndihmuar atyre që ta jetojnë jetën normale. Këto janë deklarata për përfitime të tyre personale dhe asgjë tjetër”, theksoi Kastrati, për Telegrafin.
Edhe Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se përmes këtyre deklaratave po tentohet të pengohet integrimi i plotë i komunitetit serb në Kosovë.
Pavarësisht kësaj, shtoi ai, shifrat tregojnë dyfishim të numrit të serbëve të integruar në FSK në raport me gjashtë muajt e kaluar.
“Kjo është vetëm një prej shantazheve, direktivave që komuniteti serb në Kosovë të mos inkuadrohet jo vetëm në FSK, por në të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë. Pra, ata dëshirojnë që nëpërmes këtyre presioneve apo deklarimeve të frikësojnë dhe të pengojnë integrimin e komunitetit serb. Mirëpo, rezultatet tregojnë krejt diçka tjetër krahasuar me numrin e të integruarve serb që kanë qenë deri para gjashtë muajve. Ky numër është dyfishuar sidomos i serbëve që vijnë nga veriu i Kosovës. Ata përveç se i ndjekin trajnimet në FSK, janë pjesë edhe e trajnimeve, si dhe akademive të ndryshme ushtarake”, tha Perteshi, për Telegrafin.
Ndryshe, i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ditë më parë u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës, duke thënë se “në bazë të Ligjit penal të Serbisë pjesëmarrja në formacionet ilegale të armatosura është e dënueshme deri në dhjetë vjet burg”.