Deklarata e kreut të Ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ku i kërkon Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), përkatësisht drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje që të jenë kujdestarë e të mos rrinë në zyrë, por të dalin në terren, po shihet si ndërhyrje në kompetenca të KEK-ut nga shoqëria civile, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas tyre, Qeveria në asnjë moment nuk duhet të përzihet në kompetencat e institucioneve të pavarura ose t’i interferojë.
Por, përveç kësaj deklarate, Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë dy ditë më parë nuk ka arritur që të bëjë dallimin në mes të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike. Teksa ka drejtuar një varg akuzash ndaj Qeverisë së kaluar dhe menaxhmentit të KEK-ut për krizën energjetike, ai ka thënë se “Qeveria nuk do t’ia japë asnjë cent KEK-ut për importin e energjisë”. Ka thënë se “menaxhmenti do t’i vuajë pasojat për krizën e krijuar në vend”.