Deklaratat në publik, “betejat” në gjykatë – Përmbledhje e padive civile më 2018

Prishtinë | 04 Jan 2019 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Gjuha e përdor nga politikanë, apo figura të ndryshme publike, shpesh ka ngjallur reagime të shumta.

Akuzat e kundërakuzat në emisione televizive, apo në aktivitete tjera publike, kanë bërë që betejat në mes të politikanëve, funksionarëve publikë, organizatave joqeveritare, mediumeve e gazetarëve të barten në gjykata.

Shumë prej tyre i janë drejtuar gjykatave me padi me pretendimet për shpifje e fyerjeve, e për të kërkuar kompensim në vlera që kapin edhe qindra mijëra euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatat e Republikës së Kosovës, gjatë vitit 2018, në disa nga këto padi që ishin ushtruar më herët, kanë vërtetuar pretendimet e paditësve, apo i kanë hedhur poshtë ato, derisa në disa raste edhe janë deponuar padi të reja.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka kohë që ka nisur monitorimin e seancave edhe në çështjet civile, në çdo degë të gjykatave në Kosovë, raporton Betimi për Drejtësi.

Por, në përmbledhjen e vitit, do të veçohen vetëm disa nga rastet më interesante, e ku të përfshirë kanë qenë politikanë apo figura të ndryshme publike.

Gjykata nuk e vërteton shpifjen në rastin e padisë së Ramush Haradinajt ndaj Gazmend Muhaxherit

Sipas padisë së ushtruar më 3 nëntor 2015, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj si paditës, kishte pretenduar se ndaj tij ishte shpifur dhe se i ishte cenuar personaliteti dhe prestigji i tij, nga i padituri Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, në intervistën e dhënë në gazetën austriake “De Standard”.

Sipas pretendimeve të padisë, i padituri Muhaxheri gjatë një interviste të dhënë në të përditshmen austriake “Der Standard”, me një gjuhë denigruese për Haradinajn kishte shpifur duke e ndërlidhur të njëjtin më biznese të pompave të benzinës dhe me lojërat e fatit, po ashtu edhe me disa përleshje që kane ndodhur pas luftës në Kosovë.

Në asnjë seancë të mbajtur palët ndërgjyqëse Haradinaj dhe Muhaxheri, nuk kishin marrë pjesë, duke iu shmangur përballjes me njëri-tjetrin, e të cilët ishin përfaqësuar vetëm nga avokatët e tyre.

Mirëpo, më 5 dhjetor 2018, Gjykata Themelore në Pejë e kishte refuzuar si të pabazuar padinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Një gjë e tillë ishte vendosur nga gjykatësja Ganimete Puka, e cila kishte thënë se arsyetimin e këtij aktgjykimi do ta nxjerr edhe me shkrim dhe i njëjti do tu dorëzohet palëve.

Në shpallje të aktgjykimin nuk kishin marr pjesë kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, po ashtu as përfaqësuesit e tyre.

Padia e Glauk Konjfucës ndaj Milaim Zekës

Më 2 nëntor 2018, deputeti Glauk Konjuca me pretendimet se kishte shpifur ndaj tij, e ka paditur në Gjykatën Themelorë në Prishtinë deputetin Milaim Zeka, nga i cili ka kërkuar kompensim të dëmit jo material në shumë prej 50 mijë euro.

Në këtë padi thuhet se me 31 tetor 2018, Milaim Zeka, deputet i Kuvendit të Kosovës, ishte i ftuar në emisionin “Dossier D” me Fidan Ramën në RTV Dukagjini, ku i padituri, përmes kësaj interviste ka shpifur dhe fyer deputetin Glauk Konjufca.

Këtë thuhet se e kishte bërë duke thënë “Mue nuk më fyen një njeri për të cilin sipas njerëzve ka dëshmi, videoincizime për to treshe të famshme në zyrat e Vetëvendosjes që kanë bo abuzime seksuale”.

Tutje, thuhet se pas pyetjes nga gazetari i emisionit se “a ka materiale apo video-incizime në lidhje me këtë?’, Zeka ka thënë “ ka materiale dhe videoincizime”.

Ndërsa, në pyetjen e gazetarit të emisionit “Ju besoni se z.Konjufca është i përfshirë?”, thuhet se Zeka është përgjigjur duke thënë “Po,Po,Po,”.

Në këtë padi thuhet se pretendimet e të paditurit përmes kësaj interviste i përmbushin të gjitha elementet e veprës së shpifjes dhe fyerjes ndaj të paditurit, bazuar në faktin se deklarata nuk është e vërtetë dhe është tejet nënçmuese, duke përshirë edhe dëmtimin e rëndë të reputacionit të Konjufcës.

Tutje, thuhet se i padituri ka qenë në dijeni se deklarata e tillë është e pavërtetë dhe e pasaktë, por e ka bërë me qëllim të dëmtimit dhe zhvlerësimit të reputacionit si dhe cenimit të imazhit publik të paditësit.

Në padi thuhet se për shkak të përjetimit të dhimbjes shpirtërore, denigrimit të personalitetit dhe cenimit të dinjitetit, lartësia e dëmit të shkaktuar jo material duhet të kompensohet në të holla dhe se gjykatës i propozohet që kompensimi në emër të këtij dëmi të bëhet në shumë prej 50.000.00 euro.

Pas zgjedhjeve lokale “beteja” kalon në gjykata, Fehmi Ferati paditë për shpifje Agim Bahtirin

Ish-kandidati i Lëvizjes “Vetëvendosje” për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Fehmi Ferati, duket se ende nuk e ka kryer “betejën”, me tashmë kryetarin aktual të kësaj komune, Agim Bahtiri.

Ferati e Bahtiri, bashkë me kundër kandidatët nga partitë tjera politike, kishin qenë në garë për kryetar të Mitrovicës, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit të 2018.

Pak muaj pasi që kanë përfunduar këto zgjedhje, Fehmi Ferati, më 28 dhjetor të vitit 2017, kishte ushtruar padi për shpifje ndaj Agim Bahtirit, pasi që pretendon se gjatë debateve televizive gjatë fushatës zgjedhore, tashmë kryetari i Mitrovicës, ka shpifur për të.

Ferati me anë të kësaj padie ka kërkuar kompensim në vlerë të përgjithshme prej 25 mijë eurosh nga Agim Bahtiri, për dëmet që pretendon se i janë shkaktuar nga deklaratat e tij.

Ish-kandidati i VV-së për kryetar komune, ka kërkuar 20 mijë euro për kompensim të dëmit material, për siç thuhet në padi, fitimet e humbura në veprimtaritë ndërmarrëse që paditësi posedon, kompania “Pro-FE-media”, dhe kompleksi “Villa Vllahia”. Ndërsa, pesë mijë euro i kërkon me pretendimin për cenimin e autoritetit, nderit, të lirive e të drejtave të personalitetit të tij.

Sipas padisë, gjatë debatit parazgjedhor “Magazina Lokale” të transmetuar në Klan Kosova, më 29 shtator 2017, Agim Bahtiri ka shpifur ndaj kundër kandidatit, Fehmi Ferati.

“Në minutën 1:01:30, ka shpifur duke thënë ‘Ti ju ki 300 vetëve borxh nëpër fshatra. Ju ke marr djathë fshatarëve’”, thuhej ndër të tjerash në padinë e Fehmi Feratit.

“Përsëri gjatë të njëjtit emision, në minutën 1:02:20, derisa paditësi ishte duke shpjeguar planin e tij qeverisës, duke thënë se ‘Unë kam investuar, në Komunën e Mitrovicës dhe në vazhdimësi kam kërkuar investitorë’, është ndërprerë nga Bahtiri i cili ka thënë ‘Ku i ke marr të hollat për investim? Partia Demokratike t’i ka dhanë’”, thuhej gjithashtu në padi, ku sipas saj, një deklarim i tillë i Bahtirit, është shpifës, fyes dhe i pavërtetë.

Bahtiri duke qenë në dijeni se deklarata e tij është e pavërtetë, por ka pasur për qëllim Padia më tutje thotë se që “Feratin ta portretizoi si një hajn, i cili ka marr prodhimet e caktuara nga qytetarët dhe për këtë nuk ka paguar të hollat”.

Kurse, paditësi Ferati, në padi ka thënë se nuk i ka borxh asnjë fshatari nga të cilët e ka blerë djathin dhe prodhimet e tjera të qumështit, për restorantin që e ka në pronësi në fshatin Vllahi të Komunës së Mitrovicës.

Në padi, gjithashtu thuhet se sa i përket deklaratës të dytë të Bahtirit, se të hollat për investime janë siguruar nga një parti që Ferati nuk i përket, paditësi konsideron se këto janë deklarata të pavërteta dhe politike, të cilat janë thënë me qëllim të keq për të dëmtuar personalitetin dhe imazhin e tij në cilësinë e kundërshtarit të të paditurit në zgjedhjet lokale për kryetar komune.

Në padi është potencuar se pas këtyre deklaratave të Agim Bahtirit, aktiviteti ndërmarrës në bizneset që janë pronë e Fehmi Feratit, kanë pasur rënie në gjenerim të të hyrave, krahasuar me vitet e kaluara.

“Bahtiri me qëllim ka tentuar që të ekspozoi Feratin para turpit në komunitetin e tij, ku përmes deklaratave shpifëse e fyese ka denigruar personalitetin tim dhe ka dëmtuar reputacionin e veprimtarive ndërmarrëse që janë pronë e imja, duke më shkaktuar dëm të konsiderueshëm material e jomaterial”, thuhet ndër të tjerash në padi.

Kryetari i Lipjanit padi civile ndaj gazetarit, kërkon nga Gjykata që t’ia ndalojë të shkruaj “shpifje kundër tij”

I pakënaqur ndaj disa shkrimeve të publikuara në portalin “Ulpiana Press”, si dhe me pretendimet se ato kanë përmbajtur të pavërteta dhe shpifje ndaj tij, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, më 5 nëntor 2018, ka paditur gazetarin Granit Duriqi.

Ndër të tjerash, me anë të kësaj padie, ai ka kërkuar 10 mijë euro dëmshpërblim, si dhe ka kërkuar nga Gjykata që të caktohet masë e përkohshme e sigurimit dhe që t’i ndalohet të paditurit që “në vazhdim të përhapë informacione të pavërteta me përmbajtje shpifje ose fyerje”.

Sipas padisë, i padituri më 22 tetor 2018, në portalin “Ulpiana Press”, ka shpifur duke publikuar fakte të pavërteta me titull “Pushteti i Imri Ahmetit nuk ngopet, shpenzon mijëra euro për dreka”, duke përmendur shifrën mbi 15 mijë euro për gjashtë muajt e parë të këtij viti për dreka zyrtare.

Në padi thuhet se në të njëjtin shkrim i padituri kishte postuar foton e Imri Ahmetit, foton e komunës së Lipjanit dhe foton me disa kartëmonedha nga 500 euro, në mënyrë të paautorizuar, ndërsa e ka ditur ose është dashur ta dijë se kjo e shkruar nga ana e të paditurit është e pavërtetë dhe kuptimi i së cilës e ka dëmtuar rëndë reputacionin e paditësit dhe të familjes së tij.

Sipas padisë, për këtë shpifje dhe fyerje nga ana e të paditurit, më 23 tetor 2018, ka reaguar Komuna e Lipjanit, e cila shpifjen e ka kundërshtuar se për tetë muaj paditësi ka shpenzuar vetëm 317 .81 euro për dreka dhe darka zyrtare.

Po ashtu, sipas padisë, i padituri më 24 tetor 2018, ka bërë një postim në portalin “Ulpiana Press”, me foto të Komunës së Lipjanit dhe një sasi të kartëmonedhave nga 500 euro me titull “Për tre muaj Komuna e Lipjanit, i ka shpenzuar 30.000 euro për ushqim e karburant”.

Në padi thuhet se paditësi me SMS në “Viber” i ka paraqitur kundërshtimet duke i kërkuar të njëjtit medium “Ulpiana Press”, të bëjë demantimin e shpifjes dhe fyerjes së paraqitur, sipas Ligjit Kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

Më tutje, në padi thuhet se edhe organizata jo-qeveritare “POLIS”, ka bërë sqarim lidhur me postimin që përmban shpifje të paraqitur nga ana e të paditurit.

Sipas padisë, paditësi i gjetur në gjendje të rëndë të cenimit të personalitetit, dinjitetit dhe autoritetit, i është shkaktuar shqetësim, çrregullim në jetën e tij, ku ka preokupime që i shkaktojnë pasoja psikike në kryerjen me sukses të detyrave.

I padituri deri në ditën e përpilimit të kësaj padie nuk ka ndërmarr asnjë veprim në drejtim të zbutjes së dëmit të shkaktuar, me ofrimin e kërkim faljes apo ndonjë veprimi tjetër.

Paditësi me këtë padi kërkon nga gjykata që ta detyrojë të paditurin Granit Duriqi, gazetar i “Ulpiana Press”, që paditësit t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar si pasojë e publikimit të fakteve të pavërteta në portalin “Ulpiana Press”, më 22 tetor 2018, me titull “Pushteti i Imri Ahmetit nuk ngopet, shpenzon mijëra euro për dreka”, si për artikullin e 24 tetorit 2018, me titull “Për tre muaj Komuna e Lipjanit 30 mijë euro për ushqim e karburant”.

Gjithnjë sipas padisë, në këtë mënyrë ia ka cenuar dhe dëmtuar personalitetin dinjitetin, reputacionin, ashtu që paditësi për këtë dëm, të shpërblehet në shumë prej 10 mijë euro, si dhe në të ardhmen t’i ndalohet të shpif dhe të fyej si dhe të detyrohet t’i tërheq postimet e paraqitura lidhur me personalitetin e paditësit.

Në padi thuhet se meqenëse i padituri ka vazhduar të bëjë publikime duke e fyer paditësin, i kanë propozuar gjykatës që të caktohet masë e përkohshme e sigurisë dhe t’i ndalohet të paditurit Granit Duriqi, gazetar në portalin “Ulpiana Press”, që të përhap në vazhdim informacione të pavërteta me përmbajtje shpifje dhe fyerje, në drejtim të paditësit.

Hudhet poshtë padia e Hasan Pretenit ndaj organizatës “Çohu”

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) dhe ish-drejtori i kësaj agjencie Hasan Preteni, më 4 maj 2012, kishin ushtruar padi ndaj Organizatës Jo-Qeveritare “Çohu” dhe ndaj përfaqësuesve të saj, Lorik Bajrami dhe Artan Demhasaj, si dhe ndaj Besnik Boletinit nga Qendra e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, e cila vepron në kuadër të “Çohu”, duke kërkuar shpërblim të dëmit deri në 150.000 euro.

Sipas padisë, Hasan Preteni si drejtor i AKK-së derisa ishte në një konferencë për media të organizuar nga ana e OJQ-së “Çohu” dhe “Qendrës së Kosovës për Gazetari Hulumtuese”, pretendonte se kishte marrë shpifje nga ana e tyre, gjoja se ai kishte mbrojtur shtatë deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët e kishin shkelur ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë.

Sipas tyre, ai kishte bërë ndërhyrje dhe kishte falsifikuar formularët e deklarimit të pasurisë të paraqitur në AKK, nga zyrtarët e lartë publik dhe kishte bërë shkelje.

Të gjitha këto, sipas Pretenit kishin qenë shpifje dhe ishin publikuar në gazetën mujore “Preporter”, me pretendimet se ai ishte fyer dhe me vetëdije kishin përhapur fakte të pavërteta për paditësin, ku siç thuhej në padi, duke i sulmuar vlerat e tij personale dhe duke rënduar nderin dhe autoritetin e tij personal si dhe atë të AKK-së.

Me anë të kësaj padie, paditësit AKK-ja dhe ish-drejtori i saj Preteni po kërkonin që “Çohu” dhe të paditurit e tjerë, të bëjnë dëmshpërblim të dëmit jo material për shkak të shpifjes që kanë bërë.

Paditësit kërkonin që si dëmshpërblim kundër Agjencisë Kundër Korrupsionit t’i jepet shuma 50,000 mijë euro, ndërsa paditësit Preteni shuma prej 100.000 mijë euro, si pasojë e shpifjes.

Këtë padi, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 10 maj të këtij viti, e kishte hudhur si të palejuar padinë e Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK) dhe kishte refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e ish-drejtorit të saj, Hasan Preteni, të cilët kishin paditur për shpifje organizatën “Çohu” dhe “Qendrën e Kosovës për Gazetari Hulumtuese” (QKGH).

Me anë të këtij aktgjykimi, paditësit ishin obliguar që në mënyrë solidare t’ia kompensojnë të paditurve shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë prej 1,393.60 euro, të gjitha në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm.

Gjykata kishte vlerësuar se padia e parashtruar nga AKK-ja, nuk ishte e lejuar, ndërsa, kërkesëpadia e paditësit Hasan Preteni ishte e pabazuar, pasi asnjëra nga provat e administruara nuk ishte kontestuese, dhe se nga këto prova vërtetohej se deklaratat e paditësit Preteni në konferenca dhe mediume të cilat ishin objekt lëndor, i njëjti i kishte dhënë në cilësinë e përfaqësuesit të institucionit.

Sipas kësaj gjykate, paditësi Hasan Preteni nuk kishte arritur me asnjë provë të argumentojë faktin qenësor se të paditurit përmes deklaratave te tyre kishin cenuar personalitetin e tij, ngase sipas aktgjykimit, të gjitha provat i referoheshin paditësit Preteni si përfaqësues i institucionit ne rastin konkret ne cilësinë e Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Refuzohet padia e Klan Kosovës ndaj organizatës YIHR

Më 24 qershor të vitit 2010, Klan Kosova kishte ushtruar padi ndaj Youth Initiative For Human Rights (YIHR), me pretendimin se kjo organizatë në raportin “State of constriction” kishte thënë “pasuan ndryshime në skenën mediale, televizioni i ri nacional kabllor TV Klan Kosova, favorizon Partinë Demokratike të Kosovës (PDK)”.

Sipas kësaj padie, ky raport pastaj ishte shpërndarë më të gjitha mediat dhe organizatat e ndryshme qeveritare dhe jo qeveritare.

Në padi thuhej se drejtori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu kishte qenë i shokuar pasi që pohimet në raportin e lartcekur ishin të pavërteta dhe e paditura YIHR kishte dhënë deklarata të pasakta dhe tendencioze duke i shpërndarë ato në opinion, pa dhënë ndonjë argument lidhur me to.

Sipas pretendimeve të padisë, reputacioni i mirë i Klan Kosovës i krijuar me mund të madh ishte rrënuar me këtë veprim me të cilin e paditura i kishte shkaktuar dëm të madh.

Ndër të tjerash, në këtë padi thuhej se si pasojë e kësaj dezinformate, paditësi Klan Kosova ka pasur humbje edhe në marketing, pasi që shumë klientë janë shprehur se nuk dëshirojnë të reklamohen në media të cilat janë të afërta me parti politike.

Me anë të kësaj padie, Klan Kosova kërkonte që t’i paguhet dëmi i shkaktuar për shkak të mos lidhjes se kontratave të marketingut në shumën prej 235.000 euro.

Gjithashtu, paditësi kërkonte shumën prej 50.000 eurosh, për shkak që siç thuhet në padi, të rrënimit të reputacionit të rrënuar të televizionit.

Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte refuzuar si të pabazuar padinë e Klan Kosovës, me të cilën ky televizion e kishte paditur organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), me pretendimet për shpifje e fyerje dhe kishte kërkuar kompensim të dëmit rreth 300 mijë euro.

Sipas aktgjykimit të marrë nga ana e gjykatëses Naime Ahmeti, më 26 prill 2018, paditësi Klan Kosova edhe pse kishte pretenduar se YIHR ka shpifur dhe fyer në dëm të tij dhe se i është shkaktuar dëm material si rezultat i mos lidhjes së kontratave të marketingut, me asnjë provë të vetme nuk ka mundur të argumentojë se ekziston një dëm i tillë dhe se në veprimet e të paditurës ka ekzistuar një nga elementet e shpifjes dhe fyerjes.

Në këtë vendim, ndër tjera thuhet se kjo padi është e pabazuar dhe se paditësi Klan Kosova obligohet që të paditurës YIHR, t’i paguajë shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë prej 1,019.20 euro, në afat prej 15 ditësh, nga marrja e këtij aktgjykimi. Ndërsa, Klan Kosova ishte obliguar që aktgjykimin ta publikojë në gazetat ditore dhe në TV nacionale në afat prej 15 ditësh, prej marrjes së aktgjykimit.

Mungojnë paditësit, konsiderohet e tërhequr padia për shpifje ndaj RTK-së

Në korrik të vitit 2011, Krenar Gashi, ish-drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, si paditës i parë dhe KIPRED, si paditës i dytë, kishin ushtruar padi për shpifje dhe fyerje ndaj RTK-së dhe Donat Sylës.

Sipas padisë, e paditura RTK, në edicionet qendrore të lajmeve të transmetuara më 30 qershor dhe 1 korrik 2011, kishin transmetuar shpifje dhe fyerje ndaj Krenar Gashit dhe KIPRED-it.

Sipas padisë, në edicionin qendror të lajmeve të 30 qershorit 2011, RTK-ja kishte transmetuar një lajm në lidhje me një raport të organizatës Freedom House, e në të cilin thuhej se një nga përpiluesit e raportit ishte edhe Krenar Gashi.

Tutje, thuhet se në lidhje me mënyrën e përpilimit të këtij raporti të Freedom House, RTK kishte thënë se ka kontaktuar edhe me Krenar Gashin, mirëpo sipas RTK-së, ky i fundit nuk kishte dashur të komentojë për mënyrën e matjeve që i bën organizata e tij për përpilimin e raporteve.

Mirëpo, sipas padisë, Gashi kishte pranuar të prononcohej për gjetjet e raportit, por për mënyrën e përpilimit të tij, gazetarin e kishte drejtuar në ueb faqen e “Freedom House”.

Për më tepër sipas padisë, gazetari nuk e kishte njoftuar Gashin se deklarata e tij dhënë përmes telefonit do të transmetohej në lajme.

Tutje, në padi thuhej se në edicionin e njëjtë të lajmeve, RTK kishte transmetuar një lajm në lidhje me një fjalim të mbajtur në Kuvendin e Kosovës të deputetes Xhevahire Izmaku, e ku sipas RTK-së, ajo kishte thënë se “raportet e Freedom House kanë si burime disa vendorë që nuk ia duan të mirën Kosovës”.

Këtë lajm të transmetuar në RTK, paditësit e kishincilësuar si jo të saktë, pasi që sipas transkriptit zyrtar të seancës së Kuvendit, deputetja Izmaku, nuk kishte thënë atë që ka transmetuar RTK-ja.

Në edicionin qendror të lajmeve, më 1 korrik 2011, RTK, sipas padisë, pasi që kishte transmetuar pjesërisht një reagim të dërguar nga paditësit, kishte transmetuar sërish të gjitha kronikat me shpifje ndaj paditësve.

Mos transmetimin e plotë të reagimit të tyre, paditësit e kishin cilësuar si shkelje të të drejtave civile për reagim të përkufizuar me nenin 13, paragrafi 1 të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

Me veprimet e argumentuara të të paditurve, paditësit pretendonin se u është shkaktuar dëm i konsiderueshëm jo material, në formën e cenimit të rëndë të reputacionit publik dhe nxitjes së dhunës kundër tyre dhe fyerjes publike.

Andaj për këtë arsye, paditësit i kishin propozuar gjykatës që të merr aktgjykim ku do të vërtetohej padia e tyre dhe të obligon të paditurit, që të tërheqin informacionet shpifëse që ceken në padi si dhe në emër të kompensimit jo material, të paditurit të obligohen që paditësve t’iu kompensojnë shumën totale prej 21,000.00 euro.

Mirëpo, mos prezenca në seancën e 26 mars 2018, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e përfaqësuesit të paditësve, Krenar Gashi dhe organizatës KIPRED, kishte bërë që gjykata ta konsiderojë si të tërhequr padinë e tyre.

Përveç paditësve, në seancë nuk kishte prezantuar askush as nga ana e të paditurëve të parë, Radio Televizioni i Kosovës (RTK), përderisa, i pranishëm kishte qenë vetëm i padituri i dytë, Donat Syla.

Paditësit Krenar Gashi dhe KIPRED, sipas gjykatësit të çështjes, Adnan Konushevci, kishin qenë të ftuar me rregull, ashtu siç shihet, sipas tij, edhe në aktvendimin e datës 13 shkurt 2018.

“Askush nga paditësit nuk prezanton në seancën e sotme edhe pse ka prova që të njëjtit janë ftuar me rregull. Mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar, andaj sipas nenit 409 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, padia konsiderohet e tërhequr”, kishte thënë gjykatësi Konushevci.

Padia e vëllezërve Berisha ndaj ish-presidentes Atifete Jahjaga

Ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në shtator të vitit 2017 ishte paditur nga Arben dhe Xhelal Berisha me pretendimet për shpifje, pasi që sipas tyre, ajo kishte deklaruar se e mbijetuara e masakrës së kësaj familje, Shyhrete Berisha “është nxjerrë zvarrë nga shtëpia, ku kishte jetuar me burrin dhe fëmijët e saj”.

Vëllezërit Berisha, në seancën e mbajtur më 14 shkurt 2018, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin tërhequr nga masa e sigurisë ndaj deklaratave publike të ish-presidentes Atifete Jahjaga.

Përfaqësuesit e paditësve Xhelal e Arben Berisha, avokatet Shpresa Berisha-Rexhepi dhe Vahide Braha, kishin kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që Jahjagës t’i ndalohet shpifja dhe fyerja me përmbajtje lobuese si dhe të premtohet që shpifja të mos përsëritet në të ardhmen.

Vëllezërit Berisha, po ashtu kishin kërkuar që Jahjaga ta tërheq informacionin publik, të cilin ata e konsiderojnë si shpifës dhe fyes.

Vëllezërit Berisha, gjithashtu kishin kërkuar që gjykata që të demantohen deklarimet e Jahjagës, në afat prej tetë ditësh, pas pranimit të kërkesës, në të njëjtat faqe ku janë publikuar deklarimet e saj.

Berisha – Rexhepi, masën e sigurisë ndaj deklaratës së Jahjagës e kishte quajtur të panevojshëm pasi që kanë kaluar 6 muaj që nga momenti i ushtrimit të kësaj mase dhe sipas saj kanë ndryshuar edhe rrethanat nga koha në të cilën ishte paraqitur propozimi i masës së sigurisë.

Mirëpo ajo e kishte rezervuar të drejtën që në çdo kohë, në rast të paraqitjes së rrethanave të reja, të ushtrohet propozim i ri për caktimin e masës së sigurisë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Jahjagës, avokati Arianit Koci kishte se padia dhe propozimi për caktimin e masës së sigurisë është ushtruar pas afatit të lejuar ligjor dhe si e tillë është dashur të hudhet menjëherë.

Koci , kishte theksuar se nuk do të lëshohet fare në këtë çështje, pasi që vëllezërit Berisha u tërhoqën nga masa e sigurisë, megjithatë ai shtoi se jap pëlqimin për tërheqjen e masës së sigurisë ndaj Jahjagës

Paditësit, përmes padisë së ushtruar në shtator të vitit 2017, kishin kërkuar nga gjykata që ish-presidentja Atifete Jahjaga të ia kompensoi atyre shumën prej 250.000.00 euro, për shkak se të njëjtit pretendojnë se ish-presidentja ka shpifur dhe fyer ndaj familjes së tyre.

Bazuar në padinë e tyre, gjatë kohës në të cilën vëllezërit Berisha ishin të paditur në çështjen kontestuese me bashkëshorten e vëllait të ndjerë, Shyhrete Berisha, Jahjaga e ka trajtuar këtë çështje në fjalimin e saj për Javën e Gruas, më 20 mars 2017.

Paditësit pretendojnë se ish-presidentja Jahjaga, duke folur për mbrojtjen e të drejtave të gruas, “ka marrë shembull, kinse shkeljen e të drejtave” të Shyhrete Berishës nga ana e familjes së ish-bashkëshortit të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

“Si mundemi ne, respektuesit e kuotës së tridhjete përqindëshit, propozuesit dhe avokuesit për të drejtat e gruas, të lejojmë që një grua të tërhiqet zvarrë nga shtëpia e saj ku me vite ka grumbulluar kujtimet e më të dashurve të saj, që lufta-lufta për lirinë tonë ia mori padrejtësisht”, citohet si provë i padisë fjalimi i ish-presidentes, të dhënë në “Gazetën Express”.

Këtë fjalim të Jahjagës, paditësit e kishin konsideruar si shpifje e paskrupullt, dhe cenim të reputacionit të dy paditësve dhe familjes Berisha në përgjithësi.

“E paditura ka prekë thellë ndjenjat, nderin e familjes duke e bërë qe ajo të përjetoj goditjen e dytë të rëndë morale, por tani jo nga agresori serb, por nga e paditura Atifete Jahjaga”, thuhet në një pjesë të paditëseve të vëllezërve Berisha.

Deklarimin e Jahjagës, se Shyhrete Berisha “ishte tërhequr zvarrë nga shtëpia e saj”, paditësit përveç që e kishin konsideruar shpifës e fyrës, pretendojnë edhe se në mënyrë të qëllimshme ka ndikuar në gjyqësor, duke marrë parasysh se kontesti në mes Shyhrete Berishës dhe vëllezërve Berisha ishte akoma në procedurë gjyqësore në shkallën e parë.

“Asaj është duke iu mohuar e drejta mbi pronën, bashkëndërtuese e së cilës ishte”, këtë deklarim të Jahjagës, paditësit e vlerësojnë se e njëjta ka marrë rolin e gjyqtarit paralel, duke e gjykuar çështjen paraprakisht.

Paditësit po ashtu pretendojnë se Jahjaga ka vazhduar me shpifje ndaj tyre, edhe më 6 korrik 2017, pasi që Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suahrekë ka vendosur për çështjen kontestuese.

“Të jemi më të zëshëm për të kërkuar drejtësi për të gjitha rastet, sepse Shyhrejta nuk është e vetmja që i është mohuar e drejta për të trashëguar pronën”.

Paditësit, provë për këtë kishin paraqitur një deklaratë të Jahjagës në gazetën “Insajderi”, të dhënë më 6 korrik 2017.

Paditësit pretendonin se me këtë deklaratë Jahjaga ka ndërhyrë drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë, pasi aktgjykimi sipas tyre ende nuk e ka fituar formën e prerë.

Me padinë e tyre, Xhelal dhe Arben Berisha, kanë kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që kërkesëpadia e paditësve të konsiderohet e bazuar dhe në emër të kompensimit material dhe jo material, të shkaktuar për shkak të shpifjes të ua shpaguaj shumën prej 250.00.00 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme