Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka dorëzuar padi për shpifje kundër shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Padia për shpifje është ngritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ai ka ftuar mediat që t’i përcjellin seancat gjyqësore në këtë rast.
“Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i shoqëruar nga avokati im, Genc N. Kadriu, e kam dorëzuar padinë për shpifje, ndaj Abelard Tahirit, shefit shpifës të Grupit Parlamentar të PDK-së. Çapaçuli shpifës do duhet t’i tregojë tashmë gjykatës dhe përmes saj tërë opinionit publik sesi unë jam propozuar për gjyqtar nga benjaminët e tij politik të bashkëqeverisjes. I ftoj mediat që ta përcjellin ditëve në vijim seancën gjyqësore me rastin e caktimit të masës së sigurisë për ndalimin e shpifjeve kundrejt personit tim nga një shpifës ordiner si i padituri në fjalë”, ka shkruar Qorrolli në “Facebook”.