Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë Nataliya Apostolova Udhëheqësit e Misioneve të BE-së, Ambasadorët e Norvegjisë, Jan Braathy, Zvicrës Jean-Hubert Leber dhe Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, Udhëheqësi për Kosovën i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Neil Taylor dhe Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, nëpërmjet një deklarate të përbashkët bëjnë të ditur se janë përkrah popullit të Kosovës në këto kohë sfiduese.
“Jemi të vendosur të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën që ta tejkalojë këtë krizë. E vlerësojnë menaxhimin efektiv deri më tani të krizës së Covid-19 nga qeveria në detyrë dhe populli i Kosovës. Tani ka rëndësi madhore që rregullat e vendosura nga qeveria për të parandaluar përhapjen e virusit të respektohen nga të gjithë. Për më tepër, besojmë se në këto kohë të pasigurisë së madhe, të gjithë aktorët duhet t’i lënë mënjanë dallimet dhe të punojnë së bashku për të mirën e njerëzve”, njofton Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Tutje në deklaratën e përbashkët bëhet thirrje që prioritet të jetë shëndeti i qytetarëve.
“I mirëpresim të gjitha mundësitë për t’i diskutuar bashkërisht, në instancat e duhura institucionale, masat e nevojshme për kalimin e sfidës së Covid-19, përfshirë ratifikimin e marrëveshjeve financiare të negociuara me BE-në, shtetet e saj anëtare, Institucionet Financiare Ndërkombëtare, si edhe masat kombëtare për të adresuar krizën shëndetësore dhe ekonomike”.
“Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjitha palëve që prioritet të kenë shëndetin e qytetarëve dhe të mirëpresin të gjitha mundësitë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rajonal që kanë për qëllim shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e popullatës nga pandemia. Rrjedha e lirë rajonale e furnizimeve dhe personelit mjekësor është thelbësore për suksesin e kësaj përpjekje”.