Në seancën e rigjykimit të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Hajdin Hoxha, Nehat Haliti, Bajram Rexhepi dhe Ibrahim Miftari, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për krim të organizuar dhe vepra tjera penale.
Më pas, katër të akuzuarit kanë zgjedhur të mbrohen në heshtje, duke mbetur në tërësi pranë deklaratave të dhëna më parë në këtë çështje gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast akuzohen edhe Fehmi Veseli dhe Avni Mehana, por të njëjtit nuk kanë qenë prezent në seancën e sotme dhe mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.
Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri tha se i ka kryer të gjitha verifikimet për këta të akuzuar dhe nga raportet policore rezulton se nuk gjenden në Kosovë dhe se sipas policisë jetojnë jashtë vendit.
Më pas, gjykatësi Beqiri pas marrjes së mendimit të prokurorit Naim Abazi dhe mbrojtësve të të akuzuarve, mori vendim që për të akuzuarit Veseli dhe Mehana procedura gjyqësore të veçohet.
Gjykatësi tha se në rigjykim dhe rivendosje është vetëm pika 1 e aktakuzës, sa i përket krimit të organizuar.
Prokurori Abazi tha se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë në seancën e mbajtur më 30 nëntor 2018, pasi që nuk ka rrethana të tjera që të mund të ndryshonin fjalën përfundimtare, përveç që duhet të hiqen dy të akuzuarit për të cilët është veçuar procedura gjyqësore.
Mbrojtësi i të akuzuarit Hajdin Hoxha, avokati Bashkim Mehana tha se mbetet në tërësi pranë fjalës së paraqitur në seancën e 30 nëntorit 2018.
Avokati Mehana tha se konsideron që pas administrimit të të gjitha provave në shqyrtimin gjyqësor, si dhe duke vepruar konform rekomandimeve të dhëna nga ana e Gjykatës së Apelit, do të vërtetohet pa mëdyshje fakti se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”.
Kure, mbrojtësi i të akuzuarit Nehat Haliti, avokati Isa Hyseni tha se mbetet në tërësi pranë fjalës së paraqitur në shqyrtimin e mëparshëm, ndërsa shtoi se pas rekomandimeve të Apelit është mëse e qartë se në këtë çështje penale pjesëmarrja apo organizmi i grupit kriminal, nuk ekziston.
Tutje, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Bajram Rexhepi, avokatja Blerina Restelica, mbeti pranë fjalës përfundimtare të dhënë më parë, duke theksuar se i mbrojturi i saj nuk ka të bëjë fare me veprën penale që i vihet në barrë.
Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Ibrahim Miftari, avokatja Fatmire Braha, tha se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë më parë, duke theksuar se nga vërejtjet e Apelit nuk formësohen elementet e veprës penale të cilat i vihen në barrë të mbrojturit të saj.
Mbrojtja kërkoi nga gjykata që gjatë gjatë marrjes së vendimit, të merren parasysh rekomandimet e Gjykatës së Apelit.
Po ashtu, me këtë aktakuzë ka qenë i ngarkuar edhe i akuzuari Jovan Jovanoviq, por për të njëjtin ishte bërë veçimi i procedurës penale më 15 tetor 2018.
Ndryshe, Themelorja në Mitrovicë i kishte shpallur fajtor të akuzuarit M.M., Hajdin Hoxha, Avni Mehana, Nehat Haliti, Fehmi Veseli, Bajram Rexhepi dhe Ibrahim Miftari për veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale të shitblerjes së narkotikëve, si dhe M., për armëmbajtje dhe Florim Zenelin për “Kultivim të bimës së hashashit”.
Fillimisht, M., ishte dënuar me 9 vite burgim dhe dy mijë euro gjobë, Hoxha me 7 vite burgim dhe dy mijë euro gjobë, Mehanën, Halitin, Veselin, Rexhepin dhe Miftarin, gjykata i kishte dënuar me 7 vite e gjashtë muaj burgim dhe dy mijë euro giobë dhe Zenelin me 1 vit e gjashtë muaj burgim.
Kurse, Fehmi Smakiqin, i cili akuzohej së bashku me të lartcekurit për veprat e njëjta penale, gjykata e kishte liruar nga aktakuza, duke theksuar se nuk ka gjetur prova për fajësinë e tij.
Ndaj të akuzuarve Tahir Tahiri dhe Tafil Zeqiri, gjykata kishte marrë aktgjykim refuzues për pikën 1 dhe 2 të aktakuzës, për shkak se prokurori Naim Abazi, ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj tyre në fjalën përfundimtare të tij.
Mirëpo, Apeli më 25 korrik 2019 e kishte kthyer çështjen në rigjykim, me arsyetimin se nga veprimet e të akuzuarve është kontestuese nëse të njëjtit janë përfshirë në veprën penale të krimit të organizuar pasi që nga arsyetimi i Themelores nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare për këtë vepër penale.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 7 korrik 2015, nga 1 dhjetori i vitit 2013 e deri më 4 prill 2014 duke vepruar si grup i organizuar dhe strukturuar, në bashkëpunim me të dyshuarit Lutfi Peca dhe një personi me emrin Faik, që të dy nga Kukësi i Republikës së Shqipërisë, kanë blerë dhe kanë poseduar substanca narkotike të llojit marihuanë, me qëllim të shitjes.
Në aktakuzë thuhet se më 1 dhjetor 2013, në fshatin Zhabar të Mitrovicës gjatë një kontrolle të Policisë së Kosovës të një automjeti “WV-Golf 2”, pronë e të akuzuarit Miftari, i cili po ashtu ka qenë edhe duke e drejtuar, e që së bashku me të ka qenë edhe i akuzuari Haliti, janë gjetur 9 kilogramë e 993.7 gramë marihuanë, sasi kjo të cilën e kishte blerë i akuzuari M., nga i akuzuari Mehana.
Tutje, thuhet se i njëjti ishte zënë në të njëjtën kohë dhe vend duke përcjellë veturën “Golf 2” ku kishte qenë i vendosur narkotiku, me veturën e tij “Suzuki”.
Gjithashtu, në këtë aktakuzë thuhet se më 24 shkurt 2014, policia gjatë një kontrolle, në afërsi të fshatit Koshtovë në Mitrovicë, në veturën e të akuzuarit Hoxha “WV Sharan”, që ka qenë duke u drejtuar nga vetë ky i akuzuar, e ku së bashku me të ka qenë edhe i akuzuari Veseli, kanë gjetur dhe sekuestruar narkotikë të llojit marihuanë, në sasi prej 4 kilogramë e 84 gramë.
Në aktakuzë thuhet se një sasi prej 9 kilogramë e 200 gramë është gjetur dhe sekuestruar nga Policia edhe në pjesën Veriore të Mitrovicës, në veturën e të akuzuarit Rexhepi.
Kurse, thuhet se të gjitha këto sasi të marihuanës ishin blerë me qëllim të shitjes, nga i dyshuari Peca, për të cilin dyshohet se është organizator dhe udhëheqës i këtij grupi kriminal.
Më tej, në aktakuzë thuhet edhe se i akuzuari M.M., në muajin nëntor të vitit 2013, në Mitrovicë, me propozim dhe ndërmjetësim të të akuzuarit Smakiqi, ka marrë nga i akuzuari Zeneli një sasi të narkotikut të llojit marihuanë prej 3.5 kilogramë, si kundërvlerë të një veture “Audi”, e që i akuzuari M.M. e kishte në shfrytëzim.
Ndërsa, për të akuzuarin Jovan Jovanoviq thuhet se ka blerë narkotikë të llojit marihuanë nga të akuzuarit M.M. dhe Hoxha, në sasi prej 10 kilogramë, të cilën sasi thuhet se ua ka shpërndarë personave tani për tani të panjohur.
Tutje, në aktakuzë thuhet se në të njëjtën kohë edhe i akuzuari Tahiri në bashkëpunim me të akuzuarin Zeqiri janë përfshirë në aktivitete kriminale.
Këta të dy akuzohen se kanë vendosur numra të telefonit në aparatet telefonike të të akuzuarit Tafil Zeqiri dhe se pastaj nga këta numra të telefonit i kanë dërguar dy SMS, vëllait të të akuzuarit Veseli.
Me këtë, aktakuza ngarkon të gjithë të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, KPRK-së.
Po ashtu, M., ngarkohej edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që më 1 dhjetor 2013 në shtëpinë e tij ishte zënë në posedim të armës së zjarrit, dy projektile raketë-hedhës të krahut, eksploziv, dy mbushës të predhave dhe fishekë.
Prandaj, Prokuroria Speciale e akuzonte M., edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq me dispozitivin e tretë të aktakuzës së PSRK po ngarkohen Tahir Tahiri dhe Tafil Zeqiri se më 1 dhjetor 2012 e deri më 8 tetor 2014 janë marrë me tregti të ndaluar, duke blerë 10 mijë numra telefoni me çmim 3 euro e duke u shitur qytetarëve me çmim 5 euro.
Andaj, Tahir Tahiri dhe Tafil Zeqiri po akuzohen për veprën penale “Tregti e ndaluar” nga neni 305, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.