Dragutin Naskoviq është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku po akuzohet se ka kryer krime lufte në Kosovë.
Deklarimin rreth fajësisë, i akzuari Naskoviq e ka bërë pasi që prokurorja e rastit, Ajshe Ferati e lexoi aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk ndihem fajtor për asnjë vepër që më vihet në barrë mua”, u deklarua Naskoviq.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Lutfi Shala njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Vasilije Arsiq, se kanë afat 30 ditë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 nëntor 2025 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Dragutin Naskoviq ngarkohet se ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.
Naskoviq ngarkohet se në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Llashticë, Komuna e Gjilanit, në cilësinë e Komandantit të Nën-Stacionit Policor në Zhegër, nuk ushtroi kontroll efektiv mbi forcat policore gë ishin nën komandën e tij për t’i penguar apo për t’i ndëshkuar autorët ose për të raportuar aktet e kundërligjshme tek autoritetet përkatëse, në lidhje me vrasjet, shkatërimin e pasërisë së paluajtshme dhe dëbimin e popullsisë civile, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës, duke shkelur nenin 3 të Konventës IV të Gjenevës, nenit 50, 51,52 të Protokollit I dhe nenit 13, 14, 17, 86 dhe 87 të Protokollit II, e në këtë mënyrë është pajtuar me shkaktimin e pasojës gjegjësisht krimeve të kryera nga forcat serbe.
Sipas aktakuzës, më 30 mars 1999, forcat serbe, një pjesë e tyre nën komandën e të pandehurit, hynë në fshatin Zhegër dhe rethuan tërë fshatin. Për pasojë, nga frika e krijuar, banorët e fshatit, mes tyre edhe familja e Shaqir Ukshinit, filluan të largohen nga shtëpia dhe të strehohen në një shtëpi tjetër më të sigurt dhe derisa po priste që ndërkohë t’i bashkoheshin edhe prindërit e tij, viktimat U.U., dhe M.U., ndërkohë Milazim Ukshini, që është djali i viktimave, shkoi tek shtëpia për të parë nëse janë aty prindërit (viktimat) dhe në momentin që hyri në shtëpi e pa babanë U., të vrarë, në mes të dyshemesë së shtëpisë, kurse nënën nuk e gjeti fare në shtëpi.
Aty thuhet se Milazim Ukshini, i shqetësuar dhe traumatizuar, menjëherë, ka shkuar në Stacionin Policor në Zhegër për ta lajmëruar rastin dhe me të arritur aty ka takuar të pandehurin i cili ishte Komandant i atij stacioni, i ka treguar për vrasjen e babait, si dhe i ka kërkuar ndihmë për ta gjetur nënën e tij, tani viktimën M.U. Mirëpo, në vend që t’i ndihmonte për ta gjetur viktimën, i pandehuri i drejtohet me fjalët “hajt se edhe ajo është e vdekur”. Në këto rrethana, dëshmitari duke e parë që nuk kishte ndihmë, menjëherë u largua nga stacioni dhe shkoi në fshat për ta kërkuar nënën e tij, të cilën e gjeti të vrarë – të prerë në fyt me thikë, e i cili menjëherë njoftoi vëllain e tij Shaqirin, motrën Teviden, dhe familjarët e tij, ku të gjithë së bashku i varrosen viktimat në fshatin Nasalcë.
Tutje, sipas aktakuzës po të njëjtën ditë të cekur në pikën l, për shkak të rethanave të luftës, viktimat Q.H., Q.H., dhe M.I., së bashku me familjen e tyre, u detyruan të largohen nga shtëpia e tyre dhe të strehohen në shtëpinë kushëririt Ismailit, dhe pas disa ditë qëndrimi aty, në mëngjesin e datës 30 mars 1999, viktimat Q., dhe M.I., shkuan në shtëpinë e tyre për të marrë gjëra ushqimore.
Në aktakuzë thuhet se mëqenëse u vonuan, viktima Q.H., shkoi që të shoh se pse u vonuan, mirëpo edhe Q., u vonua dhe në atë moment dëshmitarja Drita Selimi, dyshonte se çka kishte ndodh me fatin e tyre dhe së bashku me një kushëri shkuan deri të shtëpia, me të hyrë në oborrin e shtëpisë së viktimave panë të vrarë Q., kurse brenda në shtëpi i gjetën të vrarë Q., dhe M., menjëherë njoftoi familjen dhe shkuan në Stacion Policor në Zhegër për të kërkuar ndihmë dhe siguri për varrosjen, e aty takuan të pandehurin i cili, me të marrë informacionin, së bashku me familjarët kishte shkuar në vendin e ngjarjes dhe pastaj u kishte ofruar siguri që t’i varrosnin viktimat në varrezat e fshatit.
Në aktakuzë thuhet se nga data 27 mars 1999 deri më 13 prill 1999, për shkak të rethanave të luftës te cekura më lartë në këtë dispozitiv, i gjithë fshati Llashticë u sulmua me armë zjarri nga forcat serbe të cilat ishin të stacionuara në fshatin Pasjan. Si pasojë e sulmit, popullata civile nga frika se do vriteshin, u detyruan që Natën e Bajramit t’i lëshojnë shtëpitë dhe u strehuan në mal, në tenda të improvizuara najloni, në kushte shumë të rënda jetese, sepse ishte ftoftë, shi e ushqimi ju mungonte.
Mirëpo, në aktakuzë thuhet se derisa popullata civile ka qenë në mal, në rrethana të ndryshme dhe në periudha kohore të ndryshme, forcat serbe kanë vrarë 13 civilë, mes tyre: F.J., Xh.H,, R.J., E.M., L.M., H.R., R.R., I.R., A.S., A.C. dhe L.Sh., (foshnjë 3-vjeçare), i cili u mbyt në krah të nënës së tij me kondak të pushkës, derisa ajo po e mbante në krah dhe ishte duke u kthyer në fshat.
Aktakuza thotë se më datë 30 prill 1999, forcat serbe fillimisht kanë hyrë në shtëpinë e familjes Hyseni, të cilën nën kërcënimin e armëve e kanë urdhëruar që të shkojë në shtëpinë e familjes Shabani, me të arritur aty, forcat serbe i vendosin anëtarët e të dy familjeve në një dhomë të shtëpisë, pastaj i kanë maltretuar, duke ju kërkuar para dhe gjësende me vlerë dhe në momentin kur u kanë thënë që nuk kanë më asgjë, forcat serbe i kanë vrarë me armë zjarri një nga një, me nga një të shtënë të armës, u vranë 11 anëtarë të familjeve Hyseni dhe Shabani, si dhe dy persona të strehuar, këto viktima janë: H.H., A.H., A.H., D.H., F.H., M.H., R.Sh., S.Sh., Z.Sh., F.Sh., (foshnjë 2 vjeçare), S.I., Xh.B. dhe B.H., 16 vjeçar.
Sipas aktakuzës, nga kjo vrasje makabre, shpëtuan Deli Hyseni, i cili pastaj thirri: a ka shpëtuar ndokush, dhe në ato momente janë lajmēruar Vlora Shabani, Drita Hyseni, Ymer Hyseni, Blerina Hyseni dhe Leonora Hyseni, të cilët sapo janë bashkuar, Deli Hyseni, ja ka dhënë Vlorës dhe Ymerit, një letër të shkruar në gjuhën serbe për ta lajmëruar Komandantin e Stacionit Policor në Zhegër për krimin e ndodhur, këta të dy menjëhere janë nisur dhe e kanë lajmëruar Policinë e Stacionit Policor në Zhegër, kurse në ndërkohë derisa Deliu, dhe të tjerët po prisnin ne shtëpi, kanë vërejtur se nga jashtë është thyer xhami i dritares së dhomës, ku gjendeshin të vrarët dhe brenda është hedhur lëndë djegëse, e cila është ndezur menjëherë dhe kufomat janë përfshi nga zjarri i madh.
Kurse, thuhet se Deliu, me të tjerët ka arritur që të largohen dhe të dalin jashtë shtëpisë, ndërkohë ne vendin e ngjarjes kane ardhur disa policë të stacionit të Zhegrës, të cilët kanë urdhëruar që deri nesër në mëngjes të mos bëjnë asgjë, kurse të nesërmen në vendin e ngjarjes, pos të tjerëve, ka dalë edhe i pandehuri Naskoviq- në cilësinë Komandantit, i cili në bashkëpunim me Komandantin e Stacionit Policor në Gjilan, kanë urdhëruar rrafshimin e vendin të ngjarjes nga kompania regjionale e pastrimit, e gjithë kjo me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit makabër që ishte kryer një ditë më parë nga forcat serbe, kurse i pandehuri, edhe pse ishte i detyruar të ndërmarrë veprime, si komandant i atij nënstacioni, është larguar nga vendi i ngjarjes, pa ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme që ishin në kompetencën dhe përgjegjësinë e tij për të parandaluar apo raportuar kryerësit e kësaj masakre.
Në aktakuzë po ashtu thuhet se që nga data 6 prill 1999 e deri më 13 prill 1999, për shkak të rrethanave të lartcekura të luftës, çdo ditë pas patrullimit të kryer nga i pandehuri Dragutin Naskoviq, si komandant i atij stacioni, që zakonisht ka ndodh nga ora 9:00 deri në ora 10:00 të paradites, menjëherë policë e qytetar serbë, kanë kryer plaçkitje dhe shkatërrim të pasurisë së civilëve shqiptarë, ku 90% të shtëpive u plaçkitën, e më pas u dogjën, duke u shkaktuar dëme të mëdha materiale civilëve shqiptarë, duke pasur parasysh këto rrethana, kur i pandehuri si komandant ka patrulluar ditën e dytë, tretë, katërt e tutje, i ka parë këto shtëpi të plaçkitura dhe të djegura dhe asnjë herë nuk i ka parandaluar këto veprime të dëmshme të shkaktuara nga këto forca në dëm të popullatës civile, por pas çdo patrullimi, në vend që të shkonte në stacion, ai shkonte në fshatin Pasjan, e që të lë të nënkuptosh sikur t’i lajmëronte ata se: “unë e kreva patrullimin e ju shkatërroni e digjni çka të gjeni“.
Ndërsa, në mëngjesin e datës 13 prill 1999, thtuhet se pothuajse të gjithë banorët civilë të fshatit Llashticë që ishin të strehuar në tenda najloni në male, u rrethuan nga forcat serbe dhe u detyruan që të shkojnë në fshat, ku pasi u plaçkitën nga forcat serbe, duke ua marrë të gjitha paratë dhe sendet me vlerë, i detyruan që të largohen nga fshati me traktorë, kultivatorë e mjete tjera transportuese.
Me këtë, Dragutin Naskoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 30 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.