Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për kanosje ndaj prokurorit

Prishtinë | 20 Kor 2017 | 12:16 | Nga

Eshref Qafleshi, i akuzuari për kanosje ndaj prokurorit Besim Susuri dhe fëmijëve të tij u deklarua i pafajshëm.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Shefik Mehmeti, duke e konsideruar veten të pafajshëm, Eshref Qafleshi procesin ndaj tij e cilësoi të montuar.

“Është proces i montuar nga prokurori Besim Susuri, nuk e ndjej veten fajtor”, tha Qafleshi.

Qafleshi akuzohet se përmes rrjetit ‘Facebook’ ka kërcënuar dy fëmijët e prokurorit, e përmes tyre edhe vetë prokurorin Besim Susuri.

Prokuroria pretendon se kërcënimi është bërë për shkak të një lënde të cilën e kishte përfaqësuar tani i dëmtuari, prokurori Susuri.

Pas deklarimit rreth fajësisë, avokatja e të akuzuarit, Jehona Musa- Sylejmani, kërkoi nga gjyqtari i vetëm që Qafleshit t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me ndonjërën nga masat alternative.

“Kërkoj që të njëjtit t’i ndërpritet kjo masë pasi që kanë pushuar arsyet ligjore për vazhdimin e së njëjtës dhe është baba i tre fëmijëve dhe njëherit ushqyes i familjes. Njashtu njëri nga fëmijët e tij vuan nga sindromi ‘Down’ dhe gjendja e tij është keqësuar pasi që babai i tij gjendet në paraburgim”, tha avokatja Musa- Sylejmani.

Për një afat të caktuar kohor mbrojtja e të akuzuarit kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, ndërsa rreth propozimit mbi ndërprerjen e paraburgimit gjyqtari Azizi tha se do të vendosë me aktvendim të posaçëm.

Sipas aktakuzës, Qafleshi më 7 dhe 8 qershor 2017 në fshatin Bellobrad të Komunës së Dragashit me qëllim që t’u shkaktojë frikë dhe ankth përmes rrjetit social ‘Facebook’ ka kanosur drejtpërdrejt dhe seriozisht djalin dhe vajzën e prokurorit, e përmes tyre edhe prokurorin Susuri që do t’u shkaktojë ndonjë të keqe.

Në dy pikat e akuzës ceken edhe SMS- të të cilët prokuroria pretendon se i akuzuari ua ka dërguar fëmijëve të prokurorit.

“E pata vështirë të ju gjej mirëpo nëse prindi juaj vazhdon me idiotizëm ju do të ndëshkoheni shumë keq, mos harro i bën të fala Besim Susurit, tash ta njoh edhe motrën o m… o m… i m…”, është SMS-ja që prokuroria pretendon se i akuzuari ia ka dërguar djalit të prokurorit Susuri.

Ndërkaq, SMS i radhës për të cilin prokuroria pretendon se i është dërguar vazjës së prokurorit Besim Susuri, ka përmbajtjen si në vijim:

“Nëse prindi i juaj nuk përmirësohet ne do të hakmerremi në fëmijët e tij dhe tek vëllaçko i juaj”.

Prokuroria në aktakuzën e ngritur ka theksuar se Qafleshi ka të kaluar kriminale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme