Deklarohet i pafajshëm zyrtari policor i akuzuar për korrupsion

Prishtinë | 08 Sht 2017 | 14:27 | Nga

Zyrtari policor Nebi Sheqiri, i akuzuar për dy vepra penale që lidhen me korrupsionin nuk e ka pranuar fajësinë, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë.Pasi prokuroria Dulina Hamiti e lexoi aktakuzën, Sheqiri u deklarua i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe manipulim me prova, vepra me të cilat ngarkohet.

Kryesuesi i trupit gjykues, gjyqtari Hamdi Ibrahimi pasi përfundoi seanca fillestare e njoftoi të akuzuarin se ka të drejtë të angazhoi mbrojtës dhe se brenda 30 ditëve mund të bëj kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe më pas do të shikohet nëse do të caktohet shqyrtimi i dytë në këtë rast.

Kjo seancë fillestare është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pavarësisht që në seancën e 14 korrikut të këtij viti, gjyqtari Hamdi Ibrahimi, kishte vendosur që kjo lëndë të transferohet në një gjykatë tjetër, për shkak se i akuzuari Sheqiri, ka një familjar të punësuar në këtë gjykatë, mendim të cilin e kishte mbështetur edhe prokurorja Dulina Hamiti.

Gjyqtari Ibrahimi në seancën e së premtes njoftoi palët se pavarësisht kërkesës së tij për transferimin e kësaj lënde në një gjykatë tjetër, është vendosur se ky rast të gjykohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në të cilën punon motra e të akuzuarit.

Sipas aktakuzës, Nebi Sheqiri në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor të Veriut në Prishtinë, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, i kishte tejkaluar kompetencat e tij.

Prokuroria, pretendon se gjatë periudhës 2012-2016, derisa e kishte hetuar një rast vjedhje të rëndë, kishte manipuluar me prova dhe e kishte dorëzuar kallëzimin penal kundër personave “NN”, por që kryesit nuk diheshin.

Të njëjtin kallëzim penal kundër “NN” e kishte dërguar në Prokurorinë Publike Komunale në Prishtinë, me 13 nëntor 2009.

I pandehuri Sheqiri, pas marrjes së raportit të ekspertizës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ku gjurma e vijave papilare e skanuar në sistemin kompjuterik që i përkiste personit Besim Berisha, nuk e kishte dorëzuar në prokurori me kallëzim penal shtesë, por e kishte lënë në zyrën e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme