Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Greg Delawie, ka vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), së bashku me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Derisa Delawie nuk u deklarua për medie, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se ambasadorin amerikane njoftuan për ecurinë e deritanishme të procesit të zgjedhjeve, si dhe së bashku me të vizituan sallën operative në të cilën arrijnë të dhënat nga komisionerët.
Daka tha se deri më tani nuk janë njoftuar për ndonjë parregullsi, me përjashtim të “disa problemeve të vogla që janë normale në këtë proces në të cilin janë të përfshirë shumë persona”.
Ndërsa, prokurori Aleksandër Lumezi tha se deri më tani kanë vetëm një person të ndaluar për vepër penale.
E shefi i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast që vlen të veçohet. “Policia e Kosovës është duke u kujdesur në të gjitha qendrat e votimeve që gjithçka të shkojë në rregull”.
Ai tregoi se edhe në veri të vendit, Policia e Kosovës po kujdesen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.