Delawie: Marrëveshja për demarkacionin duhet të kalojë

Prishtinë | 29 Mar 2017 | 15:55 | Nga Albulena Avdiu

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është marrëveshje e drejtë, e cila siç tha ai, duhet të kalojë.

Këto komente ai i ka bërë në diskutimin e organizuar nga Lëvizja FOL, duke thënë se ShBA-ja dhe Kosova kanë një histori të posaçme, raporton Ekonomia Online.

“Mendojmë që demarkacioni është marrëveshje e drejtë dhe Departamenti i Shtetit Amerikan e ka shqyrtuar vijën kufitare, ajo vijë ka ekzistuar që atëherë kur ka pasur krahina dhe ju e dini që Kushtetuta është bërë në bazë të krahinës dhe kjo vijë ka ekzistuar me dekada dhe ekspertët e kanë shkruar me teknologji bashkëkohore. Ne e ndjejmë që kjo marrëveshje duhet të kalojë”, ka thënë Delawie.

Ai ka theksuar se Mali i Zi e ka njohur dhe përkrahur Kosovën që nga fillimi dhe se “paaftësia për ta finalizuar këtë marrëveshje është burim i panevojshëm i tensioneve”.

“Kemi më shumë se 25 për qind të pa punë dhe sa më shumë deputetë në kuvend është më lehtë të arrihet numri për ta votuar këtë marrëveshje. Ne besojmë që kjo vijë është e saktë dhe kemi pasur ekspertë të Departamentit që e kanë vlerësuar këtë marrëveshje, shpresoj që të kalojë”, ka thënë ai.

Të ngjashme